Nga: Dorina ARAPI

Shkodra, në shekujt XVIII dhe XIX ishte një qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Tregu shkodran zhvillonte një veprimtari të gjerë tregtare, e cila kulmoi me një zhvillim të madh ekonomik nga mesi i shek. XIX. Letërkëmbimet tregtare me qendra të rëndësishme si Raguza, Venediku, Trieste, Korfuzi etj.,(Shkodra 1984, 236) dëshmojnë për lidhjet e ngushta të Shkodrës me qytetet e tjera bregdetare të Adriatikut, si dhe me ishujt jonianë. Dëshmitë e disa ndalesave për zhvillimin e tregtisë apo lëvizjes së tregtarëve nga Shqipëria drejt Italisë, në vitet 1699, 1707 dhe 1729 (ASHQ, Fondi 132, dosja 1, fleta 1, 26 mars 1699/ ASHQ, Fondi 132, dosja 1, fleta 1r, 5 shkurt 1707/ ASHQ, Fondi 132, dosja 1, fleta 1r, 1 qershor 1729) të shpallura nga guvernatorët e Piaçencës, për arsye të rrezikut të përhapjes së sëmundjeve tregojnë për marrëdhëniet e ngushta me qytetet italiane. Në këto vite çdo lloj tregtie ose praktike shkëmbimi u ndalua, jo vetëm për Shkodrën, por dhe për qytete të tjera si Korfuzi, Qefalonia e Raguza. E pikërisht në këto qendra tregtarët shkodranë, që në shekullin XVIII, kishin krijuar agjencitë e shtëpitë e tyre tregtare (Shkodra 1984, 261). Hapja agjencive konsullore të disa vendeve të huaja, duke filluar nga shekulli XVIII dëshmon për klimën e favorshme institucionale, shoqërore e kulturore të këtij qyteti. Ndërsa, në anën tjetër, lidhjet me Romën, nga ku rrezatonte politika e Propaganda Fides, ndihmonte në përforcimin e depërtimin e frymës katolike. Pra në tërësi Shkodra shfaqet si një qytet me karakteristika të zonave të tokave të kufirit, një qytet me disa referenca kulturore.

Termi tokë kufiri (borderland) i përdorur nga studiues për të shpjeguar natyrën kozmopolite dhe hibride të qyteteve-porte osmane, ndihmon për të kuptuar mjedisin kulturor, shoqëror e institucional të Shkodrës të shekullit XIX. Këto qytete ‘kufiri’, ndryshe nga tokat e zonat e brendshme, funksiononin si zona ndërmjetëse, si “toka të mesit” midis osmanëve dhe europianëve (Inal 2011, 148), e kishin më shumë ngjashmëri me ato europiane e të Mesdheut, sesa me hinterlandin (brendësinë e tokës, në rastin tonë). Ato ishin kulturalisht heterogjene. Marrëdhëniet tregtare e të afërta të Shkodrës me Venedikun, ndikimi e rrezatimi i autoritetit të Propaganda Fides të Romës, sistemi administrativ osman, konsullatat e huaja në vend, mjaftojnë për të kuptuar se ky qytet ishte një pikë nevralgjike e përballjeve kulturore e politike. Si e tillë Shkodra formësoi e artikuloi dinamikat e lëvizjes së grupeve apo individëve në mesin e shekullit XIX. Situata e saj shoqërore e politike, strukturoi zhvendosjen e atyre individëve, të cilët jetonin ose përballeshin me jetën e të qenit në kufi, siç ishte në rastin e ishullit të Korfuzit. Falë pozitës së saj gjeografike, por dhe njëkohësisht të kushteve dhe rrethanave që ofronte ky qytet, mund të ishte i depërtueshëm nëse krijoheshin hapësira të njëjta veprimi për ata individë, të cilët kërkonin të vendoseshin këtu, por pavarësisht kësaj, kufijtë midis qytetërimeve nuk ishin hapësira mbi të cilat mund të aplikoheshin rregullat e vendit tjetër apo të krijohej i njëjti mjedis në vendin tjetër, sepse ata që mund të kalonin kufirin kishin nevojë për mbështetje, nga ana tjetër, dhe paraqitej domosdoshmëria e një familjariteti me vendin ku do të vendoseshin. (Ortega 2014, 94.) Kjo fillonte fillimisht me familjet e rëndësishme tregtare shkodrane që kryenin tregti me Venedikun, Piaçencën, Austrinë, Stambollin etj., ishin përçues të kulturave dhe ideve, gjë që favorizonte, e mundësonte strategji për krijimin e terreneve e zonave hibride, si dhe familjaritet me qytetet përtej: njerëz më kozmopolitë dhe më të familjarizuar me kulturën përtej Adriatikut. Në panoramën e mes shekullit XIX, Shkodra ishte një dëshmi e konvergimit kulturor.

Ardhja e piktor Pietro Marubi (Piaçenca, 1834-Shkodër,1903) fillimisht në Korfuz e më pas në Shkodër në mesin e shekullit XIX, tregon se ndoshta lidhje të veçanta, përveç atyre tregtare, të kenë qenë midis Piaçencës e Shkodrës, Korfuzit e Shkodrës, por dhe një rrjet komunikimi të vendosur kohë më parë. Në këtë aspekt Shkodra e shekullit XIX ofronte mundësi depërtimi dhe krijimin e një terreni të ngjashëm, me kushte të favorshme me vendin e origjinës të personit që kërkonte të vendosej aty. Kjo për arsye sepse aty gjendeshin konsullatat e huaja si ajo angleze; kishte persona, të cilët kishin emigruar aty, e kishin krijuar grupime të vogla në qytet, e mbi të gjitha sepse ishte krijuar një mjedis kulturor me frymën e kulturës së Adriatikut. Fakti se në Shkodër gjendej një komunitet katolik, si dhe vendosja e konsullatave të huaja, veçanërisht ajo angleze favorizoi lëvizjen dhe vendosjen e disa qytetarëve nga Korfuzi drejt Shkodrës, ku shumë prej tyre, si Marubi, Idromeno ishin vendosur. Këshilla e konsullit Italian në Vlorë për Marubin për të shkuar në Shkodër “se atje ka katolikë”, tregon se aty ai mund të gjente veten brenda një mjedisi të ngjashëm kulturor me vendin që kishte lënë pas. Piktor Marubi, që më pas u bë fotograf, themeloi dinastinë e fotografëve që i dhanë Shkodrës një dimension të ri kulturor. Por, nga ana tjetër, në Shkodër mund të gëzonte të drejta më të plota si qytetar. Ashtu siç tregojnë burimet arkivore, këta individë ishin mbështetje dhe garanci për të tjerët që vinin të qëndronin në Shkodër, si dëshmitarë apo si persona që ofronin garanci. Në këtë mënyrë mjedisi institucional- administrativ, si dhe ai kulturor, i jepte formë dinamikave të lëvizjes së individëve, duke krijuar një mjedis të ngjashëm me vendin e origjinës e, gjithashtu, të favorshëm për ta. Duke qenë se ishujt jonianë, ku bënte pjesë dhe Korfuzi ishin protektorat britanik deri më 1864, ata që shpërnguleshin nga ishulli mund të shkonin aty, ku dhe gjenin mbështetje të britanikëve, si në rastin e Shkodrës ku dhe gjendej konsullata angleze.

Një nga rastet e veçanta, pavarësisht vështirësive të ndryshme, është rasti i Pashko Vasës (ndonjëherë i cituar dhe me emrin Pasquale) dhe gruas së tij të dytë Katarina Bonatti, e cila ishte nga Preveza. Pashko Vasa kishte marrë një vërtetim nga peshkopi i Shkodrës, ndërsa Katarina kishte tentuar të merrte një dëshmi pranë konsullatës angleze në Prevezë për statusin e saj të lirë civil, të cilin nuk e kishte marrë. Mungesa e një zyrtari katolik (ministro), nuk e kishte mundësuar këtë. Në këtë mënyrë për të lehtësuar e mbështetur lëvizjen e jetën e individëve nevojiteshin dy gjëra: mbështetja nga konsullatat britanike dhe aprovimi nga autoriteti kishtar katolik, gjë të cilën Shkodra i plotësonte si kritere. Për këtë arsye, të ardhur, të larguar, të arratisur zgjodhën të vendoseshin në Shkodër. (AQSH, Fondi 132, Dosja 11, fl.2, viti 1861)

Një nga këta ishte babai i Kolë Idromenos, Arsen Idromeno. Arsen Idromeno, me origjinë nga Parga, por i lindur në ishullin e Korfuzit, u martua me Roza Saraçin, nga një familje qytetare katolike shkodrane. Arsen Idromeno me profesion ishte marangoz. Me vullnetin e tij të lirë, më datë 3 dhjetor 1858, Arsen Idromeno i dërgon kërkesë konsullatës angleze në Shkodër, ku kërkon kthimin e tij nga besimi ortodoks kristian në atë katolik roman. Konsullata angleze i drejtohet famulltarit Radoja për konvertimin e Arsenios. Në këtë kërkesë firmosin dhe dy dëshmitarë, Pietro Marubi dhe Spiridon Rossi. (AQSH, fondi 132, dosja 9, fl. 2-7) Si Marubi, ashtu dhe S. Rossi nuk ishin vendas. Për Marubin mendohet se ka mbërritur në Shkodër rreth vitit 1856. Fillimisht ishte larguar për në Turqi, më pas në Korfuz, Vlorë e së fundmi në Shkodër. Dy vjet më vonë Pjetër Marubi realizon fotografinë e parë në studion e tij. Spiridon Rossi, me profesion murator, ashtu si dhe të tjerë, kishte ardhur nga Korfuzi. Ai ishte djalë i Johanit nga Korfuzi dhe po aty ishte martuar me një vajzë nga Zante (Greqi). (AQSH, fondi 132, dosja 13, fl.26)

Po në këtë datë, zv.Konsulli britanik në Shkodër, Spiridon Bonatti, paraqitet së bashku me Arsenio Idromenon pranë zyrës së famulltarit Radoja, ku paraqesin kërkesën e tij për t’u konvertuar në besimin katolik. Ai më datë 6 dhjetor të vitit 1858, në prezencë të Pietro Marubit dhe Nikollë Sahatçiut, konvertohet në fenë katolike. Gjithashtu brenda të së njëjtës datë, Arsen Idromeno martohet me Rozën, vajzën e Filip Saraçit në prezencë të Anastas Papanikut (Anastasio Papanico) dhe Agostin Rakacolit (Agostin Racazzoli). (AQSH, fondi 132, dosja 9, fl.7) Këta të dy të fundit janë dëshmitarë të besimit katolik. Anastas Papaniku ishte shtetas osman, i cili kishte punuar në konsullatë dhe në bazë të shërbimit të tij gëzonte mbrojtjen nga konsullata angleze. Ai ishte një person mbështetës, garant e dëshmitar për të. (Lista e personave, të cilët gëzonin mbrojtje nga konsullatat në Shkodër, në atë kohë është nxjerrë nga Pashko Vasa nga arkivi qeveritar në Shkodër. Dokumenti mban datën 29 korrik 1860. AQSH, fondi 132, dosja 13, fle. 213). Ndërsa disa vite më vonë, rreth 1867, emri i Agostin Rakacolit figuron në rolin muftarit dhe vite më vonë Kolë Idromeno do të projektonte banesën e familjes Rakacoli. Dy vjet pas martesës së Arsenit me Rozën, në vitin 1860 do të lindte Kolë Idromeno, piktor e fotograf, i cili ndoqi rrugën e Marubit. Në fund të gjithë procedurës së konvertimit, zv.konsulli britanik Bonatti i drejton një letër peshkopit të Shkodrës, Luixhi Çurçia, duke e falënderuar për aprovimin e procedurës.

Rasti i kërkesës së martesës të një vajze me emrin Chiara alias Fotini nga Korfuzi, nga besimi ortodoks në atë katolik, na ndihmon për të kuptuar më nga afër ndoshta ardhjen e Arsen Idromenos në Shkodër. (AQSH, fondi 132, dosja 13, fl.62) Gjithashtu disa raste të tjera të ngjashme dëshmojnë për një komunitet të pranishëm të ardhur nga Korfuzi e të vendosur në Shkodër, të cilët në pjesën më të madhe kërkojnë t’i bashkëngjiten komunitetit katolik të qytetit. Chiara vajza e Aleksandër Fokës, me origjinë nga Korfuzi, kërkon të martohet me Mateo Bissi nga Forli (Itali), që banon në Shkodër prej shumë vitesh. Në Shkodër më datë 4 korrik të vitit 1860, dëshmitarët Arsenio Idromeno, Federico Xhangaroli (Federico Giangaroli) dhe Giuseppe Di Mari si dhe në prezencën e famulltarit Ëngjëll Radoja, betohen se gjatë periudhës që ata kanë qenë në atdheun e tyre e që tashmë nuk janë më qysh prej dy vitesh, dëshmojnë se Fotini nuk ishte larguar asnjëherë nga Korfuzi dhe nuk kishte qenë e martuar atje. Po kështu Arsenio Idromeno, së bashku me Federico Xhangaroli dhe Spiridione Rossi, dëshmojnë për statusin e lirë civil të një personi të quajtur Cirillo Bertoni, të cilin e njihnin prej disa vitesh.(AQSH, fondi 132, dosja 13, fl.24)

Këto raste të nxjerra nga dokumentet arkivorë na ndihmojnë për të kuptuar se lëvizja e komuniteteve të ndryshme, si dhe interesat politike shpesh diktonin e ndryshonin gjeografinë sociale. Nga ana tjetër, një rol organizativ të komuniteteve luanin dhe referencat e mbështetja e rrjetit komunitar të krijuara në qytete si Shkodra. Koncepti i tokave të kufirit ndihmon për të kuptuar pozitën e njerëzve, grupimeve shoqërore transite e në lëvizje, si dhe sesi individët e vendeve të ndryshme vepronin me njëri-tjetrin. (Ortega 2014, 5), por dhe krijonin rrjete bashkëpunimi.