Vepra, që po paraqesim është një përmbledhje në gjuhën shqipe të studimeve dhe gjurmimeve në lëmin e etnologjisë shqiptare të Imzot Ernesto Cozzi-t, njëri nga albanologët e shquar, por që për shumë arsye, jo aq sa duhet i njohur, një emër që çuditërisht, ashtu siç shkruan K. Ulqini: “……tepër rrallë gjendet në bibliografitë kryesore apo në citime të zakonshme.

Ernesto Cozzi, ashtu si shumica e albanologëve, ishte i huaj italo-austriak nga Trentoja. Ai u lind më 6 korrik 1870 dhe vdiq 23 mars 1926. E deshi Shqipërinë aq fort, sa që trupi do gjente prehje vetëm këtu. Ndonëse vdiq dhe u varros në Bari, u zhvarros dhe u rivarros në Shkodër, më 29 maj 1926, i nderuar, jo vetëm nga populli, por edhe nga përfaqësues të shtetit dhe të trupit diplomatik.

Vështirë të përmbledhësh në pak rreshta veprimtarinë e gjithanshme të këtij personaliteti nga radhët e klerikëve italianë që shërbyen në Shqipëri. Një jetë e mbushur me veprimtari mes shërbesës fetare, studiuesit të censhëm të kulturës shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve, mbrojtësit të të drejtave kombëtare të tyre, hierarkut të lartë të kishës katolike në Shqipëri, por dhe diplomatit, pasi, në vitin 1921, ai ishte Delegati i parë Apostolik i Vatikani, shteti i parë, që e njohu shtetin e ri shqiptar, të dalë nga Kongresi i Lushnjës (21-31 janar 1920).

Tokën shqiptare i frymëzuar nga misionarët italianë me dëshirën e tij, e shkeli në vitin 1901. Braktisi jetën e qetë të udhëheqësit shpirtëror në Ala, Levico, por edhe atë të famullitarit në Bolzano, për të vijuar më tej shërbesat në Malësi të Madhe, Dukagjin e Postribë, Zadrimë, Mirditë e Shkodër.

Ndonëse erdhi në kohë të krizave politike dhe fetare pasojë e pushtimit të gjatë turk, por edhe të ngjarjeve politike të gjysmës së dytë të shekullit XIX që përfshinë Ballkanin, mjeti më i vlefshëm i jetës së tij misionare ishte lidhja me banorët, me qëllim kryesor riungjillizimin e tyre, por edhe dëshmimin para botës së qytetëruar të një kulture autoktone të pacenuar, nga civilizimi, të banorëve të trevave malore, Siç shkruante P. Engjell Serreqi, ai punoi “ me zell të palodhur për shpëtimin e shpirtërave, prandaj ishte i dashur dhe i nderuar prej të gjithëve”

E. Cozzi nuk ishte indiferent edhe përkundrejt ngjarjeve, që lidheshin me proceset politike dhe vijimësinë e popujve nën Perandorinë Turke. Në festimet në favor të Kushtetutës turke të vitit 1908 të bëra në Shkodër, Edit Durhami, e pranishme në festë, kujtonte edhe priftin e Reçit, Ernesto Cozzi-n, ushtarak, mbi një kalë të bardhë dhe me zagarin, që e ndiqte prapa, i cili sapo u lexua dekreti i shpalljes së “Hyrjetit” kërceu mbi platformë dhe me zërin e tij tingëllues, (me një shqipe të mirë- shën i yni) mbajti një fjalim të çastit që e mbylli me thirrjet: “Rroftë kushtetuta”, Rroftë Padishahu” Rroftë shqiptaria” .

I vëmendshëm kundrejt çdo gjëje që e rrethonte, hapësira e shërbesës zgjerohej. Krahas përhapjes së dritës së besimit fetar, me kërshërinë e një studiuesi, iu fut edhe hulumtimeve të kulturës materiale dhe shpirtërore të fiseve malësore, që do ta bënin atë një ndër personalitet më të shquara të fushës. Të strukur në lartësitë e mëdha të bjeshkëve, në një ndërthurje të çuditshme të maleve dhe luginave malësorët mes skamjes mjerane të jetës arritën të ruajnë pak a shumë të paprekura thesaret etnike, që mund të përcaktohen, si:“….pasuri zanafillore të racës, në gjuhë dhe në tradita”

Hulumtimet në fushën e etnologjisë të filluara që herët në shekullin e XVII ( kujto Frang Bardhin (1606-1643) , që mes të tjerave hulumtoi edhe me folklorin dhe etnografinë e Zadrimës- shën. ynë) njohën kulme përgjatë shekullit XIX dhe gjysmës së parë shekullit XX. Klerikë të urdhrave të ndryshëm fetarë, por edhe mjaft studiues kryesisht të huaj, e ndonjë shqiptarë ndodheshin në terren, duke pasqyruar rezultatet e punës përmes mjaft veprave, por edhe relacioneve drejtuar selive të ndryshme qeveritare dhe qendrave shkencore të kohës.

Edhe E. Cozzi, ishte njëri nga ata, ”studiues të zellshme të zakoneve shqiptare por puna e tij pati të veçantën e vet. Ai nuk ishte i financuar, apo edhe i mbështetur nga ndonjë instancë shtetërore apo organizëm shkencor, pasi hulumtimin e shikonte si pjesë e misionit të një kleriku. Në mungesë të plotë të dokumentacionit të shkruar, ai ndoqi rrugën e mundshme të udhëtimeve duke kërkuar së pari dëshmitë e njerëzve, por duke pasqyruar edhe çdo gjë të veçantë që vërente sa i takon dokeve, zakoneve, traditave, besëtytnive, elementëve psikologjikë dhe moralë të banorëve.

Me nuhatjen e një studiuesi të mirëfilltë, gjithnjë duke u bazuar vetëm në burime tregimtare ai arriti të klasifikojë materialin e grumbulluar për një periudhë pesëvjeçare ( 1909-1914) dhe të na japë shtatë vepra. Të sigurte në aftësitë e autorit, por edhe në seriozitetin shkencor të trajtesave, veprat u botuan në revistat shkencore të fushës: “Anthropos”, “Revue d’ethnographie et de sociologie”, “Studi albanesi”, që publikoheshin në Vienë, Paris dhe Romë. Pjesë të veprave u botuan edhe në revistën “Përparimi” të Etërve jezuitë.

Më poshtë po radhisim kronologjikisht veprat e botuara:

“Sëmundje, vdekje, varrime, Malet e Shqipërisë” (1909)

“Gjendja bujqësore në Shqipëri” (1910)

“Marrja e gjakut në Malet e Shqipërisë” (1910)

“Gruaja shqiptare në një veshtrim të posaçëm nga e drejta dokësore e Maleve të Shkodrës”(1912)

“Fiset e Shqipërisë së Sipërme –shënime rreth organizimit të tyre shoqëror e politik” (1913)

“Besime dhe bestytni në Malet e Shqipërisë” (1914)

“ Fiset e Shqipërisë së Sipërme-shënime rreth organizimit të tyre shoqëror e politik me të dhëna statistikore” (1944) .

Ndër tërë veprat e E. Cozzit vepra e fundit sa i takon lëndës që përmban, përmbledhje normash juridike popullore të regjistruara në Malësi të Shkodrës gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të XX, “…cilësohet si kryevepra e Cozzi-t. Në këtë lëmë ai i kaloi paraardhësit e vet (J.G. von Han, H. Hekard, N. Ashta, L. Mjeda e M. E. Durham) .

E me gjithë vlerësimin, autori modestisht nuk ka pretenduar të ketë bërë një studim shkencor, pasi siç e pohonte, “.. për të tilla studime duhej një kulturë shumë e gjerë në shkencat juridike, që mua më mungon.

Studimet E. Cozzi-t ngelen si pjesë e artikujve të periodikut. Ato asnjëherë, sa qe gjallë autori, nuk u arrit të publikoheshin si një libër i veçantë.

Studimi “Fiset e Shqipërisë së Sipërme, që në dorëshkrim (1912) pati mbështetjen e konsullit austro-hungarez në Shkodër, Zambaur. Ai përmes kontit Bertold arriti të sigurojë mjetet financiare për botimin e saj, e cila fatkeqësisht nuk u arrit.

Bazuar në të dhënat e G. Valentini-t, të konfirmuara edhe nga Kahreman Ulqini, (njeri ndër etnologët e shquar shqiptarë) rezulton që vepra kishte filluar të shtypej në shtypshkronjën D.A. Kajon në Sarajevë. Vetë E. Cozzi kishte marrë për t’i korrigjuar bocat e para, por më tej: “ .. se për ç ‘arsye vepra nuk përfundoi. E ngelur në dorëshkrim sipas të dhënave edhe të M.E.Durham, ajo u shkatërrua gjatë viteve të Luftës. Vetëm në vitin 1944, vepra u botua nën kujdesin e atë G. Valentinit, në Buletinin “Studime dhe tekste”, organ i Institutit të Studimeve Shqiptare duke e kodifikuar në tre libra: I. E drejta civile (familja , miqtë, prona). II. E drejta penale (kundrime paraprake , krime kundër njeriut, krime kundër pronës, ligje të posaçme vendore, procedurat). III. “Struktura politike (fisi, bajraku, në nëndarjet e bajrakut, qeverisja e fisit, e bajrakut dhe nënndarjet).

E. Cozzi – në gjykimin e K. Ulqinit- zë një vend nderi, (ndonëse të mohuar) në albanologji, i konsideruar, ”ndër njohësit më të mirë të terrenit shqiptar krahas F. Nopçës e M. E. Durham.

Atë G. Valentini S.J., njohës i drejtpërdrejtë i psikologjisë dhe të dokeve të Malësisë së Madhe, vlerësonte tek E. Cozzi, cilësitë e çmueshme dhe të domosdoshme që ai kishte si punonjës shkencor, aftësitë për të vërtetuar tezat e parashtruara, duke “…vjelur shumë burime , e për të veçuar gjatë parashtrimit atë që është subjektive prej asaj që është objektive ”

E gjithë kjo punë shkencore pas vitit 1944, u tret në zbrastësinë që krijoi heshtja dhe mohimi nga diktatura komuniste, aq më tepër që kishin të bënim me një emër të hierarkisë së lartë kishtare. Emri i tij ishte i panjohur, vepra po ashtu. Të botuara në gjuhën italiane dhe në revista të huaja të fillimeve të shekullit XX, studimet e E. Cozzi-t me vështirësi mund të gjendeshin në Shqipëri, dhe nëse gjendeshin duhej leje e posaçme për t’i konsultuar.

Por gjurmët ngelin, ata janë më të forta se harresa e qëllimshme. Ndërsa një palë studiues endeshin në zbulimin e të fshehtave të një populli, të tjerë studiues përpiqeshin që të sillnin në kohë, por edhe në gjuhën shqipe, veprat e atyre autorëve që siç thuhet shpesh “ nuk mund të fshihen me një të rënë lapsi”.

Vepra e E. Cozzi-t do të vijonte të ishte e panjohur për publikun shqiptar, pa kujdesin dhe përpjekjen e W. Kamsit, (1926-2017) një ndër personalitet në zë të gjurmimit të letrave shqipe, por edhe të autorëve të huaj dhe shqiptarë që janë marrë me problemet albanologjike.

I ndjeri Willy Kamsi, lindi me 17 dhjetor 1926 dhe u rrit në Bari (Itali) në familjen e Gjon Kamsit, (1894-1992) njëri nga ekonomistët e shquar shqiptarë, me mjaft kontribute në mbarëvajtjen e institucioneve financiare të shtetit shqiptar në periudha të ndryshme. Ka qenë publicist i njohur, autor i mjaft trajtesave të karakterit ekonomik e finaciar, por edhe politik, historik, letrar dhe gjuhësor të botuara në shtypin e kohës, brenda dhe jashtë vendit. Ai ishte mik i shumë patriotëve mes të cilëve edhe i Luigj Gurakuqit. Për një periudhë 39 vjeçare ruajti rrobat e përgjakura të Luigj Gurakuqit, të vrarë në Bari në vitin 1925, për t’i dorëzuar në Shtëpinë muze kushtuar Heroit tonë Kombëtar Luigj Gurakuqit ( kjo Shtëpi fatkeqësisht nuk ekziston më – shën. ynë). Gjon Kamsi ishte i pari që botoi veprën “Vjersha” të L. Gurakuqit, firmosur me pseudonimin Gjikam. Me këmbënguljen dhe guximin qytetar, përmes letrave dërguar organeve të larta shtetërore të diktaturës komuniste u arrit të shpëtoheshin Varrezat Katolike të Rrmajit të shpallura tanimë “Monument Kulture”

Willy, ndoqi shkollimin fillor dhe të mesëm në Institutin “De Cagno Abbresci”,të Barit deri në qershor të vitit 1943, kur familja kthehet në Atdhe; në vitin 1948 merr maturën në Gjimnazin e Tiranës, ndërsa në vitin 1975, mbaron studimet e larta në degën histori-gjeografi.

Një vit pas rikthimit në Shqipëri, më 1944, ndonëse akoma pa mbushur të shtatëmbëdhjetat ai u angazhua në Bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, drejtori së cilës Filip Fishta, që e ndihmoi atë të përvijonte formimin albanologjik, të cilin e vijoi deri në frymën e fundit të jetës.

Fryt i kësaj shtyse ishte krijimi dhe pasurimi i fondeve albano-balkonologjikë të bibliotekës I.L.Pedagogjik të Shkodrës (sot universiteti “L.Gurakuqi- shën ynë) dhe “Át Zef Valentin S.J.“, pranë Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar në Shkodër, por edhe veprimtaria e larmishme studimore.

Bibliografia personale e hartuar nga vetë W. Kamsi, e dëshmon më së miri veprimtarinë e gjërë kërkimore-shkencore. Ajo përmban një sërë njësish të grupuara në: I. Artikuj dhe studime (146 njësi); II. Studime shkruar në italisht dhe anglisht, (22 njësi). III.Parathënie (9 njësi); IV. Fjalime dhe diskutime (11 njësi); V. Intervista ( 9 njësi); VI. Përkthime (23 njësi): VII. Recensione dhe promovime (16 njësi); VIII. Biblioteka e bibliografi (19 njësi).

Tërë prodhimtari e tij shkencore e shpërndarë në revista të ndryshme, kryesisht shkencore, të botuara në Tiranë dhe në Shkodër, si: Studime gjuhësore (Tiranë), Monumentet (Tiranë), Buletini Shkencor (Shkodër), Kumtari i Muzeut, Phoenix, Shkodra ndër shekuj (Shkodër), por edhe në organe të ndryshme periodike të klerik katolik etj., rrok në pjesën më të madhe probleme albanologjike, që lidhen me gjuhësinë, arkeologjinë, monumentet e kulturës , të drejtën zakonore, historinë, figurat e spikatura kombëtare etj., një pjesë e të cilave janë edhe në gjuhë të huaj.

W. Kamsi ishte pjesëmarrës në shumë konferenca dhe sesione shkencore brenda dhe jashtë vendit. Një vend të rëndësishëm zë edhe pjesa e krijimtarisë të lidhur me profesionin e tij, studimet në fushën e bibliotekave dhe kolanën bibliografike të revistave : “Albania” (1897-1909), “Hylli i Dritës” (1913-1944), “Leka” (1929-1944), “Shkëndija”(1940-1943).

I rritur në një mjedis familjar, por edhe shoqëror mjaft të kulturuar, W. Kamsi u lidh përjetësisht me librat dhe gjurmimin e teksteve të vjetra të shqipes, duke u bërë një zë autoritar në këtë fushë. Objekt i hulumtimeve të tija u bë edhe Arkivi dhe bibliotekat e Vatikanit, gjatë kohës që ai ishte në detyrën e Ambasadorit të parë të Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, (1992-1996) aq sa në këto ambiente ai filloi të njihej edhe , si” “ambasadori hulumtues”.

Zotërues i disa gjuhëve të huaja, të vdekura (greqisht, latinisht) dhe perëndimore (italisht, frëngjisht, anglisht), ai arriti t’i japë lexuesit në gjuhën shqipe, veprat e mjaft autorëve të huaj, mes të cilëve veçojmë: G. Biemi, B. Pagnin, M. Rocques ( “Gjurmime mbi tekstet e vjetra të Shqipes”, “Frang Bardhi dhe Fjalori i tij”), Atë Zef Valentinit, G. Brunelli etj.

W. Kamsi ka meritën e sjelljes në shqip nga italishtja të pjesës më të rëndësishme të veprave të E. Cozzi-t. Ndonëse kishte njohuri të sakta bibliografike, për vendodhjen e tyre iu desh të kapërcente praktikat burokratike të kohës, përdorimin literaturës siç quhej në atë kohë“rezervat”, që gjendej në Bibliotekën Kombëtare, përmes filmimit të materialeve, të cilat si dëshmi gjenden në shtëpinë e tij ,së bashku edhe me faturat përkatëse.

Librat u përkthyen nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, por vetë përkthyesi i mbajti në sirtar, pasi ishin të destinuara, ashtu si edhe një pjesë e madhe e veprave të autorëve të klerik katolik, të ngeleshim si “prodhimtari e sirtarëve”.

W. Kamsi ishte i bindur, që veprat e E. Cozzi-t ndonëse u shkruan në fillimet e shekullit XX, ngeleshin gjithnjë aktuale për etnologët shqiptarë, dhe sidomos për studiuesit e të drejtës zakonore, që do të kishin në duar një variant tjetër të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”.

“ E. Koci e Sh. Gjeçovi- shkruan K. Ulqini,- i përfunduan veprat e tyre rreth të drejtës popullore pothuaj në të njëjtën kohë, por, me sa kuptohet nuk bashkëpunuan njëri me tjetrin. Pavarësisht nga kjo normat kanunore të regjistruara në Malësi të Shkodrës nga E Koci dhe në Mirditë nga Gjeçovi janë dy variantet më të rëndësishme të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe njëkohësisht fondi kryesor i korpusit të së drejtës popullore shqiptare”

Për shumë arsye, W. Kamsi nuk arriti t’a shikojë të botuar përkthimin e hulumtimeve të E. Cozzi-t, por ai arriti të shqyrtojë deri në imtësi, sjelljen në shqip të tyre, duke korrigjuar disa herë dorëshkrimet, me skrupolozitetin shkencor që e shoqëronte.

Libri është shkruar në një gegnishte të pastër, tradicionale. Ai ruan të gjithë elementët morfologjike dhe sintaksorë të shqipes, kësisoj, ai ka një vlerë të shtuar.

Vdiq papritmas në moshën 91 vjeçare, më 27 janar 2017, duke lënë pas vetes një program të vërtetë pune për të realizuar. Ndonëse kishte moshën, përsëri ashtu si për një pjesë e mirë e intelektualëve të shquar, mosha ngelet gjithnjë një konvencion, pasi të tillë njerëz, lënë një boshllëk kulturor që duhen vite për t’u plotësuar.

Më botimin e këtij libri kemi filluar plotësimin e një pjesë të planit të botimeve të lëna të gatshme nga W. Kamsi, i cili përmban, korpusin e punimeve shkencore vetjake në shqip dhe në gjuhë të huaj, botimin e ditarit dhe të studimeve ekonomike të të atit, Gjon Kamsi, “Ditarët e Shuk Gurakuqit”, “ Holandezët në Shqipni” të Gorrit T. A. Goslinga, vijimin e bibliografive, përkthime etj.

Të bindur se studimet e E. Cozzi-t do të mirëpriten, menduam që botimi i këtyre përkthimeve është homazhi më i mirë që mund t’i dedikohet W. Kamsit, një ndër bibliotekarët dhe bibliografët më të shquar shqiptarë, studiuesit të censhëm jo vetëm të qytetit tonë, por edhe më gjerë.