14 Shkurt 2026

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të shkarkojë zv/kryeministren Belinda Balluku, një lëvizje që shënon fundin e një periudhe të gjatë tensioni ligjor dhe politik brenda qeverisë. Balluku, e pezulluar për muaj me radhë nga Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (GJKKO) nën hetim për akuzat mbi shkelje të barazisë në tendera publikë, nuk do të vazhdojë më detyrën e zv/kryeministres, por edhe të pozicionit si ministre e Transporteve dhe Energjisë.

Vendimi i Ramës vjen pas një periudhe ku SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se në vend të Ballukut, detyrën e zv/kryeministres do ta mbajë Delina Ibrahimaj, aktualisht ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, e cila do të vazhdojë të ushtrojë edhe funksionin aktual që ka. Ndërsa postin si ministër i Transporteve dhe Energjisë do e marrë Erald Jonuzaj, drejtori juridik i Kryeministrisë. Largimi i Ballukut shënon fundin e një epoke të gjatë të një prej emrave më të fuqishëm të kabinetit të Ramës, duke hapur dyer për emra të rinj që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e qeverisë.

Kujtojmë se më 16 dhjetor 2025 SPAK dërgoi kërkesë në Kuvend ku i kërkon heqjen e imunitetit Ballukut për t‘i hapur rrugë arrestimit të saj, pasi ka prova që ajo ka kërcënuar një dëshmitare, vartëse të saj dhe se rrezikon prishjen e provave. Kërkesa duhet të shqyrtohet në Këshillin e Mandateve por mazhoranca vijon të zvarrisë vendimin duke mos pranuar të mblidhet, pavarësisht insistimit të opozitës.

Në fund të janarit Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi  njoftoi shtyrjen pa afat të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin me justifikimin se vendimi i Kuvendit për heqjen e imunitetit të Ballukut varet nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Mbetet të shohim nëse Rama do t’i heqë mandatin, pasi vendosi dje që ta shkarkojë.

Ikën edhe Ëngjëll Agaçi pas 13 vitesh në Kryeministri

Nga ana tjetër, pas 13 vitesh, Edi Rama ka lënë të ikë një prej bashkëpunëtorëve të tij më të vjetër në kryeministri, Ëngjëll Agaçin, zyrtarisht sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, por realisht shumë më tepër se aq, një lloj “ustai” i ligjeve, një mjeshtër për t’i dhënë formë ideve kontroverse të Ramës për menaxhimin e pasurive publike, në veçanti kur duhej të shmangej një rrezik penal. Pasuesja e tij në këtë post të rëndësishëm është Elsonida Rama, e cila aktualisht mban pozicionin e drejtoreshës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Deri vonë, Agaçi ia doli të ruajë një profil të ulët publik, pa u përfshirë në jetën publike, por duke ruajtur në prapaskenë ndikimin e personazhit që “rregullon letrat” për projekte të rëndësishme qeveritare. Vitet e fundit ai e pati të vështirë t’u fshihej kamerave për shkak se herë pas here thirrej në SPAK. Agaçi, një ish avokat që ka ushtruar për shumë vite profesionin në Itali, u lidh me administratën socialiste përmes klientëve të tij, që nuk vinin nga jeta akademike, por mund t’i shërbenin Ramës të vinte në pushtet.

Agaçi nuk mungonte asnjëherë në drekat që Rama shtron me oligarkët dhe bosët e mediave. Ai ishte në dijeni të pothuajse të gjitha kërkesave të tyre ekonomike. Pushteti i tij u rrit veçanërisht kur Ramës i duhej inventarizimi i të gjitha pasurive në bregdet, në kuadrin e Korporatës së Investimeve, një strukturë që u krijua për t’i dhënë pa garë tokat dhe pronat publike biznesmenëve të mëdhenj vendas. Vetë fakti se ai i rezistoi brrylave të pushtetit për plot 13 vjet, mjafton për të treguar se sa i rëndësishëm ishte Agaçi me shërbimet e tij për Ramën.

Por dje, për të disatën herë Agaçi u shfaq sërish në SPAK. “U thirra për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se ky nuk duhet të përbëjë një lajm, të gjithë duhet të jemi në dispozicion dhe funksion të organeve të drejtësisë”, u shpreh ai kur doli nga takimi me prokurorët. Nuk dihet se çfarë provash i vunë para në SPAK, por menjëherë pas kësaj vizite është bërë i ditur largimi i tij nga kabineti i Edi Ramës. Është ende e paqartë nëse Agaçi është shkarkuar apo është dorëhequr nga detyra.

Nga: Gazeta Sot