Librazhd    -Ekziston një pyll në Shqipëri që është unik në llojin e tij. Tashmë ai ka marrë statusin e trashëgimisë botërore të natyrës. Bëhet fjalë për pyllin e Rrajcës, pjesë e parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

…Duket si një legjendë. E në fakt ashtu nis. Para se të futesh në fshat duhet të kalosh një portë të gurtë e njohur me emrin “Shkalla e Skëndërbeut”. Edhe fshati mban emrin e tij, Skënderbej. Gojëdhëna thotë se heroi ynë legjendar e goditi me shpatë gurin dhe hapi udhën për në mal për të fshehur ushtrinë e tij. Banorët mburren me të kaluarën dhe ende sot në këtë portë ndodhen shpata, përkrenarja e Skëndërbeut dhe shtatorja e tij.

Por nuk është thjeshtë një gojëdhënë. Gjithçka ka lidhje me historinë. Në këtë vend, poshtë në fushën e Domosdovësh, u zhvillua një nga betejat më të përgjakshme në histori. Beteja e Tërviolit. Ishte pika kufitare ku Skëndërbeu u zinte pritë ushtrive të sulltaneve turq.

… Rruga është shumë e vështirë. Një ferr i vërtetë. Por për herë të parë ne na vjen mirë që është e tillë. Është pikërist gjendja e saj e tmerrshme që ka mbrojtur pyllin nga shfarosja. Ndryshe pylli i rrajcës nuk do të ekzistonte më në hartë. As edhe pjesë e trashëgimisë.

Pas disa orë udhëtimi arrijmë në zemër të pyllit. Një parajsë e nënës natyrë. Është i përbërë kryesisht prej drurë të fuqishëm ahu që ngrihen dhjetëra metra lart në qiell. Këtu natyra ka ndalur dhe ecën sipas ligjësive të saj. Është një peizazh i virgjër ku cikli biologjik është i mbyllur, një laborator, një univers më vete mjedisor që të mahni

Drurët e moçëm që e kanë mbyllur ciklin kanë rënë. Mbi kalbësira rriten myshqe, kërpudha, bakterie pleh dhe kombinime të tjera që shërbejnë si ushqim për drurët më të rinj. Edhe mizat janë ngrënë nga qukapikë. Aty has gjithçka, petale, bime mjekësore, dredhëza deri tek lule mishngrënëse.

Më thellë fshihen kaproj, derra të egër, dhi, uqër, dhelpra, arinj. Ndoshta po të gutosh ditë e natë takon edhe Tigrin e Ballkanit, Rrëqebullin, një lloj mace e egër që po shkon drejt zhdukjes. Në përroi që kalon poshtë trofta e egër tenton të ngjitet në lartësi.

Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Elbasan, Fatmir Brazhda, bashkë me specialistë na shoqëron në këtë udhëtim. Është njeri i përkushtuar, që rrallë i gjen këto ditë. I është dashur të bëjë vetë roje natën, të përballet edhe me keqbërës, të mbrojë me çdo kusht pyllin, me çdo sakrificë.

Por tani ndjehet i lumtur sepse ia arriti qëllimit të madh. Tashmë për këtë pjesë të Shqipërisë nuk do të kujdeset vetëm ai.

Në sesionin e 41 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur më 9-12 korrik Pylli i Rrajcës në Përrenjas dhe Lumi i Gashit në Tropojë, janë përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të Natyrës.

Që nga fundi i epokës së fundit të akullnajave, ahu europian u përhap nga disa strehime të izoluara në Alpet, Karpatet, Mesdhe dhe Pyrenees për një periudhë të shkurtër prej disa mijë vjetësh në një proces që është ende në vazhdim.

Specialisti i vjetër, Bajram Kullolli, shef i Menazhimit të Zonave të Mbrojtura Elbasan tregon më në detaje rëndësinë që ka ky pyll. Sipas tij ky pyll u shpall  Zonë e Rezervës Strikte Natyrore që në vitin 1996. Qëllimi ishte për ruajtjen e biodiversitetit të florës dhe faunës.

Ai thote se është e rëndësishme të evidentohet fakti se në këtë pyll rriten edhe disa drurë që bëjnë pjesë në listën e kuqe siç janë mështekna apo armeni.

Specialisti pohon se në këtë park rriten mbi 186 lloje të bimëve mjekësore. Se aty gjenden burime akullnajorë. Nga pikëpamja e faunës është e larmishme dhe duket se moratoriumi ka dhënë më shumë efekt.  Takohen edhe gjitarët e mëdhenj si rrëqebulli, ariu, kaprolli, dhia e egër etj. Aty gjen edhetroftën e malit. Ka zvarranikë dhe amfibë, lakuriqë  nate, minj etj.

Vetë banorët e kanë mirëpritur këtë vendim. Njëri prej tyer shprehet se ata e kanë dhënë kontributin duke mbrojtur pyllin. Tani presin investime në bujqësi, rrugë, shkolla, shëndetësi dhe arsim.

Drejtori Fatmir Brazhda pohon me kënaqësi se puna për të përfshirë Pyllin e Rrajcës në këtë listë ka nisur me kohë por veçanërisht 3-4 vitet e fundit ka qenë shumë intensive.

Sipas tij bëhet fjalë për drurë ahu me moshë rreth 300 vjeçare të vendosura në pjesën e sipërme të Bushtricës në një hapësirë 2 mijë hektarë të Parkut Kombëtar Shebenik jabllanicë.

Drejtori shpjegon se në bashkëpunim me “Euronatyrën” gjermane  u punua fort bashkë me gjithë stafin për të ruajtur dhe mbrojtur pyllin pasi ai është shumë i veçantë dhe është pjesa fundore e këtij brezi në Europë.

Ai nënvizon se Shqipëria dhe komuniteti i zonës përreth do të kenë përfitime pasi tashmë që ka fituar këtë status, organizmat botërorë do të kontribuojnë për ta mbrojtur dhe për të kryer investime.

Sa i përket projekteve për të ardhmen z. Brazhda thekson se Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Mjedisit ka politikat e saj është edhe një nga kriteret e BE që Shqipëria të përfshihet në BE nevojitet që  18% e sipërfaqeve pyjore të përfshihen në zona të mbrojtura.

Deri më tani është arritur që ky tregues të përmbushet në masën  16%. Ne po punjmë për përfshirjen e Gjinarit dhe Funarit që kanë vlera turistike në këtë listë, deklaron Brazhda

Ky pra ishte një përshkrim i shkurtër i Pyllit të Rrajcës që tashmë figuron në listën Botërore të Trashëgimisë./

Nga: infoelbasani.al