Rusia po rekruton kriminelë për sabotim në të gjithë Evropën

12 Nentor 2025
Rusia ka krijuar një rrjet agjentësh për luftën e saj hibride kundër Evropës, ku institucionet shtetërore bashkëpunojnë ngushtë me botën kriminale.
Një studim i përbashkët i OJQ-së GLOBSEC dhe Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizmin (ICCT) tregon se persona me të kaluar kriminale që flasin rusisht po rekrutohen për të kryer sulme dhe sabotime në vende evropiane. Rezultatet u prezantuan në Bruksel gjatë një takimi të Komitetit Special të Parlamentit Evropian për Mbrojtjen e Demokracive (EUDS)
Studimi lidh këto veprime drejtpërdrejt me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke theksuar se “operacionet hibride nuk janë veprime anësore, por një pjesë kryesore e strategjisë ruse”. Studiuesit krahasojnë këto taktika me ato të Shtetit Islamik (IS), i cili më parë kishte rekrutuar kriminelë në Evropë.
Sipas raportit, ky herë nuk është një grup terrorist, por një shtet që drejton rekrutimin dhe operacionet.
Kriminelët dhe sabotazhet
Nga janari 2022 deri në korrik 2025, u regjistruan 110 përpjekje sabotimi dhe sulmesh të lidhura me Rusinë në Evropë, kryesisht në Poloni dhe Francë. Nga këto, 89 ishin të suksesshme, ndërsa 21 u parandaluan. Autorët e studimit mendojnë se numri i sulmeve të parandaluara mund të jetë më i madh, pasi shërbimet e inteligjencës nuk publikojnë gjithmonë të dhënat.
Janë identifikuar 131 persona të përfshirë në këto incidente, të paktën 35 prej të cilëve kishin dënime të mëparshme dhe u rekrutuan nëpër burgje ose përmes organizatave kriminale. Kremlini shpesh synon burra rreth 30 vjeç nga vendet post-sovjetike, që flasin rusisht dhe jetojnë në kushte të vështira. Rekrutimi bëhet kryesisht online, përmes platformave si “Telegram”, por edhe përmes familjarëve dhe miqve.
Motivi kryesor për të marrë pjesë në sabotime është paraja. Shpërblimet variojnë nga disa euro për shpërndarjen e fletëpalosjeve pro-ruse deri te shumë të mëdha për sulme ndaj infrastrukturës kritike.
Hakmarrja ndaj BE-së për ndihmën ndaj Ukrainës
Për të financuar këto aktivitete, Moska përdor gjithashtu kanale të paligjshme për të anashkaluar sanksionet perëndimore. “Këto kanale i lejojnë Kremlinit të përfshijë më thellë rrjetet kriminale në strategjinë e tij të luftës hibride,” thekson studimi.
Sipas ekspertëve, flukset e paligjshme të parave, krimi dhe operacionet hibride janë pjesë e një plani të vetëm. Fushata ushtarake e Rusisë – bombardimet, sulmet me zjarrvënie dhe përpjekjet për vrasje – duhet të kuptohen si ndëshkim për mbështetjen e BE-së ndaj Ukrainës, por edhe si përgatitje për një konflikt të mundshëm më të madh.
Krimi si mjet shtetëror
Dominika Hajdu nga GLOBSEC shpjegon se përdorimi i kriminelëve nga autoritetet ruse nuk është e re. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia nuk e kishte prioritet luftën kundër korrupsionit, dhe krimi u bë pjesë e mënyrës së funksionimit të institucioneve shtetërore. Në vitin 1994, mbi 500 grupe kriminale kontrollonin rreth 40.000 kompani. Në fillim të viteve 2000, ish-oficerët e KGB-së konsoliduan kontrollin mbi shtetin, duke integruar botën e krimit në mekanizmat shtetërorë.
BE duhet të reagojë
Politikani polak Bartłomiej Sienkiewicz, anëtar i Parlamentit Evropian, thekson se Kremlini ka përdorur prej kohësh botën kriminale për rekrutimin e agjentëve në Evropë. Ai paralajmëron se është e nevojshme të veprohet ndaj rekrutëve dhe aktiviteteve online, duke përmendur sulmet me dronë ndaj aeroportëve që nuk u penguan.
Rekomandime për BE-në
Studimi propozon masat e mëposhtme për BE-në:
Monitorim më i mirë i platformave online, sidomos “Telegram”.
Zgjerimi i përkufizimit të “kërcënimeve hibride”, duke përfshirë aktorët informalë si grupet kriminale, ndërmjetësit ideologjikë dhe individët që veprojnë në interes personal.
Bashkëpunim më i ngushtë midis sektorit publik dhe privat, pasi kompanitë private në Evropë shpesh kanë mekanizma më të sofistikuar për zbulimin e aktiviteteve kriminale.
Krijimi i një platforme koordinimi për të parandaluar sulmet hibride ruse ndaj vendeve evropiane./Marrë nga DW
