“Rrok Zojzi: Ekspedita Etnografike” te “Marubi”, Jaho Brahaj: – Pasqyron jetën e përditshme të shqiptarëve ndër vite

Kallmetoret, Foto Rrok Zojsi 1954
13 Prill 2026
Nga Julia Vrapi
Nga: Gazeta Sot.
Një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit janë pjesë e ekspozitës, që u çel këto ditë te muzeu “Marubi” në Shkodër. Këto imazhe në ekspozitën “Rrok Zojzi: Ekspedita Etnografike” dokumentojnë kulturën tradicionale shqiptare përmes veshjeve, banesave, mjeteve të punës, ritualeve dhe simbolikave kulturore. Ekspozita është e kuruar nga Nebi Bardhoshi dhe prezanton për herë të parë një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit (1910-1995), themelues i etnografisë institucionale shqiptare dhe pionier në përdorimin e fotografisë si instrument kërkimor.
Studiuesi Jaho Brahaj sjell në vëmendje rëndësinë, që ka kjo ekspozitë në muzeun “Marubi”, ku shprehet se nisma e prof. Nebi Bardhoshit duhet të vazhdojë. “Në sallën e ekspozitave të muzeut “Marubi” u hap ekspozita me foto nga krahinat e vendit tonë, që na ka lënë trashëgim etnografi Rrok Zojzi. Ekspozita vjen e ideuar nga prof. dr. Nebi Bardhoshi. Foto të jetës së përditshmërisë nga mbarë vendi, nganjëherë dhe vlera të realizuara artistikisht që dallojnë edhe për dashurinë dhe përkushtimin e punës dhe të traditave të etnisë tonë nga autori. Nisma e prof. Nebi Bardhoshi duhet të vazhdojë dhe të përkrahet si nderim për personalitetet e studimeve shqiptare dhe për njohjen edhe të gjeneratës me vlerat, që na i dokumentuan me përkushtim dhe në kushte të vështira studiuesit tanë”, shprehet Brahaj në një reagim të tij për këtë ekspozitë, që u hap këto ditë në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”. Ekspozita është prodhuar nga muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” me mbështetje të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe është realizuar në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë – Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Ekspozita te muzeu “Marubi” ishte bërë dhe më parë me dije kur u prezantua nga ky muze programi i ekspozitave përgjatë këtij viti. Programi vjetor i ekspozitave këtë vit në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” ka si qëllim të reflektojë mbi rolin e fotografisë si medium dokumentues, artistik dhe kulturor, dhe mbi misionin e muzeut në ruajtjen, studimin dhe komunikimin e trashëgimisë fotografike.
Rrok Zojzi ndërmori ekspedita të shumta kërkimore
Rrok Zojzi lindi në Shkodër. Në vitin 1947 krijoi bërthamën e parë etnografike në Institutin e Shkencave, hodhi bazat e shkencës etnografike të institucionalizuar në Shqipëri, dha ndihmesë themelore për ngritjen e Muzeut Arkeologjik-Etnografik në qershor të vitit 1948. Si punonjës në institucionet pasardhëse të Institutit të Shkencave, ndërmori ekspedita kërkimore në shumë krahina të vendit, krijoi, pasuroi dhe sistemoi fondet e kulturës materiale, fototekën, skicotekën, fondet me shkrime të mbledhura në terren, kartotekën, si edhe dokumentacionin përkatës për çdo kategori. Botoi një varg studimesh e artikujsh ndër të cilat me vlera të veçanta monografia “ Ndamja krahinore e popullit shqiptar”, botuar së pari në “Etnografia shqiptare”, I, 1962; po ashtu studimi “Traditat e lundrimit detar të popullit shqiptar” (1959); “Gjurmët e një kalendari primitiv” (1949).

Kallmetoret, Foto Rrok Zojsi 1954
