Roma antike po “goditet” nga rrezet e lazerit për t’u ringjallur

21 Dhjetor 2025
Në zemër të Kryeqytetit italian, teknologjia e shekullit XXI po rikthen në jetë një nga monumentet më ikonike të historisë romake: Kolonën e Mark Aurelit.
Në Sheshin Kolona, përballë Pallatit të Qeverisë Italiane, rrezet e lazerit prekin sot mermerin e bardhë të Carrara-s, duke fshirë gjurmët e kohës, ndotjes urbane dhe dekadave të harresës. Një operacion delikat, shkencor dhe spektakolar njëkohësisht, që bashkon Romën antike me teknologjinë moderne.
E ndërtuar rreth 1840 vite më parë, Kolona e Mark Aurelit u ngrit për të nderuar figurën e Perandorit romak Mark Aureli dhe për të përjetësuar lavdinë e tij gjatë fushatave ushtarake kundër fiseve barbare. Ajo është një rrëfim monumental i gdhendur në gur, një arkiv i historisë, artit dhe propagandës perandorake romake.
Sot, ky monument i jashtëzakonshëm po i nënshtrohet një projekti unik restaurimi, i financuar nga fondet europiane, me një kosto prej 2 milionë euro.
Projekti drejtohet shkencërisht nga arkeologia Marta Baumgartner e cila shprehet se;
“Kolona ndodhej në një gjendje të avancuar degradimi, e dëmtuar nga pluhuri dhe agjentët natyrorë, në një situatë të vështirë që rrezikonte humbjen dhe shkatërrimin e materialit të saj origjinal.”
Restaurimi po kryhet përmes një teknike inovative me lazer, e cila ndryshon rrënjësisht nga metodat tradicionale të pastrimit.
“Teknika e pastrimit me laser është inovative dhe ideale, sepse respekton plotësisht mermerin dhe nuk e dëmton këtë material delikat”, thotë drejtuesja e këtij restaurimi Marta Baumgartner.
Rrezet e lazerit veprojnë me saktësi mikrometrike mbi më shumë se 2000 figura të skalitura, duke i çliruar nga shtresat e smogut, pluhurit dhe nga proceset natyrore të plakjes së mermerit. Perëndi, ushtarë, skena mitologjike dhe lufte mbështjellin cilindrin e kolonës, e cila ngrihet mbi 40 metra lartësi (pa përfshirë statujën e Shën Palit).
Kolona e Mark Aurelit është, mbi të gjitha, një dëshmi historike. Kolona rrëfen fushatat ushtarake të Perandorit Mark Aureli kundër fiseve gjermanike.
“Në relievet e saj shfaqet edhe personifikimi i lumit Danub, moment kyç i historisë romake” rrëfen Marta Baumgartner. “Kapërcimi i Danubit shënon fillimin e periudhës së luftërave mes romakëve dhe fiseve barbare.”
Rreth gjysma e kolonës është e dedikuar përshkrimit të fitoreve romake, duke kulmuar me përfaqësimin e fitores dhe nënshtrimin e Gjermanisë (Germania subacta).
Kolona u ngrit nga Komodi, djali i Mark Aurelit, gjatë mbretërimit të tij (180–192 pas Krishtit). Fillimisht, në majë të saj ndodhej një statujë bronzi e Mark Aurelit, e cila u shkatërrua gjatë Mesjetës dhe u zëvendësua më vonë me statujën e Shën Palit, shenjtori mbrojtës i qytetit të Romës.
E ndërtuar sipas shembullit të Kolonës së Trajanit, Kolona e Mark Aurelit ndryshon prej saj për mënyrën e rrëfimit: skenat nuk ndjekin një rend kronologjik. Megjithatë, mendohet se ato përshkruajnë fushatat ushtarake të zhvilluara nga viti 168 deri në 174 pas Krishtit.
Në vitin 1589, Papa Siksti V e restauroi kolonën. Gjatë këtij restaurimi, të mbikëqyrur nga Domenico Fontana, të gdhenduragt origjinale në bazë u shkatërruan dhe u zëvendësuan me një mbishkrim që gabimisht ia atribuonte kolonën perandorit Antoninus Pius. Po në këtë periudhë u vendos edhe statuja bronzi e Shën Palit në majë.
Gjatë shekujve, monumenti ka pësuar dëmtime serioze strukturore, veçanërisht pas tërmeteve të fuqishme të viteve 847 dhe 849, që tronditën rëndë Romën dhe shkaktuan shembje e deformime edhe në monumente të tjera madhore të qytetit.
Sot, restaurimi realizohet nga një ekip prej tetë restauruesish, të ndarë sipas specializimeve dhe kompetencave profesionale.
“Në projekt janë të angazhuar 8 restaurues: disa punojnë drejtpërdrejt në restaurimin e kolonës, ndërsa të tjerë merren me restaurimin e elementëve metalikë të statujës, si statuja e Shën Palit e secili sipas specializimit të vet”, shprehet Marta Baumgartner.
Në pikën më të lartë të kolonës, në këmbët e statujës së Shën Palit, Roma shfaqet madhështore: një det kupolash, nga bazilikat historike deri te Shën Pjetri, një pamje që lidh antikitetin me të tashmen.
Sot, Kolona e Mark Aurelit nuk është vetëm një monument i së kaluarës. Nën rrezet e lazerit, ajo po shkruan një kapitull të ri të historisë së saj historia e restaurimit, e shkencës dhe e kujtesës që refuzon të fshihet nga koha.
