
Resturohet Kisha e Shën Todrit, një nga më të vjetrat e Myzeqesë
27 Shtator 2025
Kisha e Shën Todrit, e ndodhur në fshatin Kadipashaj të Lushnjës, është një nga monumentet më të vjetra dhe më të çmuara të zonës së Myzeqesë, e cila po i nënshtrohet një procesi të kujdesshëm restaurimi.
Punimet po kryhen me profesionalizëm dhe përkushtim, duke përfshirë konsolidimin e strukturës, restaurimin e elementeve arkitektonike dhe vendosjen e sistemit të drenazhit për të parandaluar dëmtimet nga uji.
Nën mbikëqyrjen e specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ky projekt synon jo vetëm të ruajë vlerat historike dhe shpirtërore të kishës, por edhe ta rikthejë atë në funksion si një hapësirë e gjallë e identitetit kulturor të komunitetit vendas.
Kisha e Shën Todrit daton rreth vitit 1300 dhe është një nga objektet më të hershme të kultit në Myzeqe. Fillimisht mendohet të ketë ekzistuar një manastir, ndërsa godina aktuale është ndërtuar në një fazë të mëvonshme.

Kisha e Shën Todrit, në fshatin Kadipashaj Lushnje
Monumenti ruan ende afreske me vlera të rralla historike dhe artistike.
Kisha është shpallur Monument Kulture, Kategoria I dhe i përket periudhës pasbizantine, me tipologji bazilikale.
Ajo është e zbukuruar me piktura murale të realizuara nga vëllezërit Çetiri, një emër i njohur i artit kishtar në Shqipëri.
Në kuadër të restaurimit, një rëndësi të veçantë po merr edhe restaurimi i ikonostasit, i pikturës murale dhe i tavanit të drurit të dekoruar në naos, një element unik në llojin e tij.
Kisha e Shën Todrit mendohet të jetë e dyta për nga vjetërsia pas manastirit të Ardenicës.

Kisha e Shën Todrit, në fshatin Kadipashaj Lushnje