Renditja e 100 muzeve më të vizituar në botë, surprizat e 2025-ës

2 Prill 2026
Revista ndërkombëtare The Art Newspaper ka publikuar raportin për vitin 2025 mbi muzetë më të vizituar në botë, duke dhënë një panoramë të qartë të tendencave globale dhe flukseve turistike kulturore.
Në krye të renditjes vijon të qëndrojë Muzeu i Luvrit në Paris, i cili ka regjistruar mbi 9 milionë vizitorë gjatë vitit të kaluar, pavarësisht problemeve të fundit, përfshirë një vjedhje të madhe bizhuterish dhe dorëheqjen e drejtoreshës Laurence des Cars, e zëvendësuar nga Christophe Leribault.
Në vendin e dytë renditen Muzeu i Vatikanit, të drejtuar nga Barbara Jatta, me mbi 6.9 milionë vizitorë.
Surpriza e këtij viti vjen nga Azia, në vendin e tretë ngjitet Muzeu Kombëtar i Koresë në Seoul, me rreth 6.5 milionë vizitorë, duke lënë pas Muzeun Britanik në London, i cili renditet i katërti.
Në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë edhe Muzeu Metropolitan i Artit në New York, galeritë Tate dhe Galeria Kombëtare në Londër, si dhe Muzeu i Shangait Lindor.
Sipas raportit të përgatitur nga Alexandra Timonina dhe Allison C. Meier, numrat janë stabilizuar pas ndikimit të pandemisë COVID-19, duke reflektuar më qartë lëvizjet turistike dhe ndikimin kulturor të vendeve në nivel global.
Në total, 100 muzetë më të vizituar në botë kanë regjistruar mbi 200 milionë vizita gjatë vitit 2025, duke konfirmuar rolin e tyre si qendra të rëndësishme tërheqjeje.
Rritje e ndjeshme vihet re sidomos në Azi dhe Lindjen e Mesme, ku muzetë e rinj po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë. Një shembull i fortë është rritja e shpejtë e muzeve në Korenë e Jugut dhe në Hong Kong.
Edhe në Evropë ka rekorde të reja. Muzeu i Prados në Madrid ka kaluar për herë të parë 3.5 milionë vizitorë, një sukses që sipas drejtorit Miguel Falomir mund të kthehet në problem për shkak të mbingarkesës.
Ndërkohë, muzetë italianë vijojnë të jenë shumë të frekuentuar, kompleksi i Galerive Uffizi në Florence ka regjistruar 5.3 milionë vizitorë në vitin 2025.
Rritje e fortë është shënuar edhe në Azi, ku Muzeu i Shangait Lindor ka arritur 4.6 milionë vizita, ndërsa muzetë në Hong Kong dhe Kore kanë njohur një bum të vërtetë. Veçanërisht, Muzeu Kombëtar i Koresë ka regjistruar një rritje mbi 70%, duke kaluar nga 3.8 milionë vizitorë në 2024 në 6.5 milionë në 2025.
