Plot 400 milionë lekë nga fondet për Emergjencat, Fatkeqësitë i dhashë për koncertin.

5 Shtator 2026

Kompania “Redcloud”, e cila rezultonte nën sekuestro për shkak të borxheve tatimore, përfitoi 400 milionë lekë nga fondet publike për koncertin e Kanye West në Shqipëri. Pak javë më vonë, kompania shlyeu detyrimet ndaj administratës tatimore.

Rasti ka shkaktuar reagimin e opozitës. Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për shpërdorim detyre.

Në tetor të vitit 2024, administrata tatimore kishte urdhëruar Qendrën Kombëtare të Biznesit që të mos lejonte ndryshime në pronësinë e kompanisë “Redcloud”, për shkak të borxheve të pashlyera të mbartura ndër vite.

Megjithatë, më 7 korrik 2026, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim urgjent për t’i akorduar kompanisë “Redcloud” 400 milionë lekë të reja nga fondet publike.

Pas përfitimit të fondit publik, kompania që merret me organizimin e eventeve shlyeu detyrimet ndaj administratës tatimore. Në mesin e gushtit të këtij viti, Drejtoria e Borxhit njoftoi QKB-në për lirimin e titujve të pronësisë nga barra tatimore, pasi “Redcloud” kishte shlyer të gjithë detyrimet ndaj administratës tatimore.

Më 11 korrik 2026, këngëtari amerikan Kanye West organizoi një koncert në periferi të Tiranës. Qeveria kishte deklaruar më herët se shteti shqiptar nuk do të kishte asnjë angazhim financiar në këtë aktivitet privat.

Megjithatë, vetëm pak ditë para koncertit, Këshilli i Ministrave përdori një pjesë të Fondit të Emergjencave për financimin e blerjes së biletave për aktivitetin.

Kryeministri Rama e justifikoi këtë shpenzim me argumentin se financimi ishte i nevojshëm për të shmangur turpërimin e Shqipërisë, në rast se koncerti do të dështonte për mungesë fondesh.

Partia Demokratike e konsideroi këtë argument absurd dhe dorëzoi një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama pranë Prokurorisë së Posaçme, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.