14 Dhjetor 2025

Pak ditë më parë, kreu i qeverisë, u ankua se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, kishte bllokuar punën e qeverisë.

Dhe, një prej dëmeve që kishte sjellë vendimi i GJKKO-së ishte pikërisht bllokimi i marrëveshjes me Kanadanë, sipas tij.

“Ministri i pezulluar jo vetëm që nuk firmos dot vetë asgjë, por bën që askush tjetër të mos marrë dot vendim dhe të firmosë. Ndaj edhe është absurd si koncept sepse është bllokim i krejt zinxhirit vendimmarrës për sektorët që ministri mbulon, dhe ndër gjërat që janë bllokuar është edhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore”, deklaroi ai në një komunikim në rrjete sociale, gjatë fushatës për të bindur Gjykatën Kushtetuese të rikthejë në detyrë zëvendësen e tij.

U duk sikur vendimi i Gjykatës së Posaçme na prishi shumë punë me Kanadanë dhe se pezullimi i Ballukut i la avionët në ajër.

Por, siç edhe ishte më normalja e më logjikja, zgjidhja ishte shumë e thjeshtë e shumë e lehtë.

Të premten e kësaj jave (12 dhjetor 2025), kryeministri Rama e ka nënshkruar vetë Vendimin Për miratimin, në parim, të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Kanadasë, për transportin ajror.

Ky vendim u miratua vetëm pak orë përpara se Gjykata Kushtetuese të vendoste pezullimin e vendimit të GJKKO-së, duke rikthyer në detyrë Belinda Ballukun.

Edhe Kushtetuesja, në vendimin për rikthimin në zyrë të Ballukut, argumentoi se pezullimi i saj nga detyra rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore…

Po ja që argumenti i Kushtetueses çalon-Rama i ngriti vetë avionët për në Kanada, pa pritur rikthimin e Ballukut në zyrë.

Nga: Gazeta Dita