Rama të japë dorëheqjen”/ Korça dhe Berati i bashkohen protestës, në mbështetje të studentëve qytetarë dhe demokratë nisen drejt Tiranës

31 Tetor 2026
Pesë degët e Partisë Demokratike në qarkun juglindor, Korçë, Pogradec, Maliq, Devoll dhe Kolonjë, janë organizuar për t’iu bashkuar protestës në Tiranë në mbështetje të studentëve.
Demokratët janë nisur me automjetet e tyre private, që prej mbrëmjes së djeshme dhe gjatë ditës së sotme. Një pjesë e madhe e tyre kanë mbërritur tashmë në kryeqytet, ku do t’i bashkohen protestës dhe kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Po ashtu, demokratët e qarkut të Beratit janë nisur që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm drejt Tiranës, për t’iu bashkuar protestës studentore.
Nga dega e Partisë Demokratike në Berat janë nisur rreth 60 automjete, ndërsa në rang qarku, përfshirë degët e Kuçovës, Dimalit, Skraparit dhe Poliçanit, numri i mjeteve që janë nisur drejt kryeqytetit ka kaluar 125.
Demokratët kanë udhëtuar me automjete private dhe në orare të ndryshme, ndërsa një pjesë e tyre janë nisur që mbrëmjen e djeshme. Sipas organizatorëve, kjo mënyrë organizimi është zgjedhur për të shmangur pengesat e mundshme gjatë rrugës nga forcat e policisë.
Kryetari i PD-së Berat, Kasion Hasimetaj, u ka bërë apel qytetarëve që t’i bashkohen protestës, ndërsa ka deklaruar se demokratët beratas janë nisur drejt Tiranës si “çetat partizane” të dikurshme, për shkak të kontrolleve të shumta policore përgjatë rrugës.
Edhe deputeti i PD-së për qarkun e Beratit, Zija Ismaili, ka deklaruar se anëtarët e Partisë Demokratike në Berat janë vëzhguar nga patronazhistët e Partisë Socialiste gjatë nisjeve drejt protestave. Sipas tij, kjo nuk i ka penguar ata të vijojnë pjesëmarrjen në protesta.
