26 Dhjetor 2025
Një sondazh i publikuar së fundmi në ABC News, i realizuar nga Eduard Zaloshnja, nxjerr në pah një realitet politik domethënës: Edi Rama nuk perceptohet më si lideri i padiskutueshëm i së majtës shqiptare.
Edhe pse, në mungesë të një opozite të besueshme, Rama vijon të mbajë pushtetin që prej vitit 2013, sondazhi tregon se ai nuk gëzon mbështetje të fortë emocionale dhe identitare brenda vetë elektoratit të majtë.
Votuesit socialistë nuk e shohin Ramën si “liderin e madh dhe të dashur nga të gjithë”.
Sipas të dhënave, më pak se 34% e votuesve të majtë e konsiderojnë Edi Ramën si udhëheqësin kryesor të tyre. Ndërkohë, 18% shprehin ende respekt dhe nostalgji për Fatos Nanon, liderin themelues të Partisë Socialiste, ndërsa 8% e këtij elektorati e konsiderojnë Enver Hoxhën figurën kryesore historike të së majtës.
Ky rezultat nuk është i panjohur për Ramën.
Që në fillimet e tij politike, ai e ka ditur se nuk do të ishte një lider konsensual brenda së majtës tradicionale. Në vend që të kërkonte ndërtimin e një lidhjeje organike me bazën socialiste, Rama zgjodhi një strategji tjetër: hapjen e Partisë Socialiste ndaj ardhjeve nga rrethina të tjera politike, të cilat i shërbyen interesave të pushtetit, por jo forcimit ideologjik të partisë.
Megjithatë, sondazhi tregon qartë se këto “ardhje” të promovuara si bonus politik që nga viti 2000, kur Rama kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, nuk kanë qenë kurrë realisht lojalë ndaj së majtës. Ky segment, i karakterizuar shpesh nga lidhje klienteliste dhe interesa të vogla, nuk përbën një bazë të qëndrueshme elektorale.
Në thelb, e vetmja shtyllë që e mban Ramën në pushtet është ajo që mund të quhet elektorati tradicional i së majtës, rreth 800 mijë votues, plus-minus, të cilët, sipas sondazhit, votojnë më shumë nga mungesa e alternativës sesa nga bindja apo dashuria politike.
Ky elektorat, në shumicën e rasteve, voton për Ramën “duke mbyllur hundën”, ndërsa më pas është i pari që e kritikon dhe e sulmon ashpër.
Mungesa e dashurisë mes Ramës dhe socialistëve nuk është thjesht çështje stili apo kimie personale, por reflekton mungesë vullneti për të ndërtuar një marrëdhënie të hapur dhe miqësore me bazën.