Edi Ramës me Alexandros Karloutsos, përfaqësues i kishës greke në SHBA.

Rama në SHBA për vaksinën apo lobim për pushtetin?

08/12/2020

Kryeministri Edi Rama është nisur ditën e shtunë për në SHBA. Në një njoftim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se vizita lidhej me marrjen e vaksinës kundër koronavirusit. Për gati 4 ditët e qëndrimit në SHBA nuk ka asnjë njoftim për takimet e kreut të qeverisë.

Në rrjetet sociale është publikuar sot një foto e një takimi të Edi Ramës me Alexandros Karloutsos, përfaqësues i kishës greke në SHBA. Por veç aktivitetit si klerik, Karloutsos njihet dhe si lobist dhe njeriu me ndikim në Shtëpinë e Bardhe në përfaqësuesit e demokratëve amerikanë.

Edi Ramës me Alexandros Karloutsos, përfaqësues i kishës greke në SHBA.

Fotoja e publikuar është realizuar një dite më parë, pas një dreke që kryeministri dhe kreu i kishës ortodokse te NY kanë patur së bashku.

“Koha Jonë” pyeti në zyrën e shtypit në Kryeministri nëse Kryeministri ka pasur takim me përfaqësuesit e lobit grek në SHBA dhe çfarë ka diskutuar me ta, por nuk ka marrë ende një përgjigje.

Alexandros Karloutsos dhe djali i tij Michalis Karloutsos njihen për ndikimin që kanë në qarqe të politikës amerikane. Michalis Karloutsos ka një kompani lobimi që ka punuar me Presidentin Donald Trump dhe së fundi është angazhuar në fushatën e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Kryeministri Edi Rama është i lirë të takojë këdo, por nëse thotë se ndodhet në SHBA për të gjetur vaksinën dhe del në foto me lobistë me pagesë, duket se vizita nuk ka qëllim pandeminë, por hallet e pushtetit të Rilindjes.

Koha Jonë.