Lavrov Rama

Rama në Moskë: – Kam besim se vendi juaj i shkëlqyer do ecë drejt paqes

26 shkurt 2020

Ka nisur në Moskë takimi mes kreut të OSBE-së Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Në fjalën e tij Lavrov ka vlerësuar rolin e OSBE-së në krijimin e kushteve për një dialog konstruktiv në çështjet globale që ai i cilësoi si komplekse. Lavrov ka vlerësuar pozitivisht qasjen e Edi Ramës në krye të OSBE-së nisur nga fjalimet e tij të deritanishme publike.

Nga ana e tij Rama ka vlerësuar ndryshimet e bëra në Moskë në harkun e 15 viteve, duke theksuar se ky ndryshim është i madh krahasuar me kohën e vizitës së tij të parë kur ishte kryebashkiak i Tiranës.

Rama ka miratuar vlerësimet e Lavrov për kompleksitetin e situatës ndërkombëtare duke deklaruar se politika duhet të nisë nga perspektiva e vuajtjes së njerëzve që duhet të ushqejnë motivet e saj.

“Parimet e OSBE-së të integritetit territorial, sovranitetit, të drejtave të njeriut mbeten po aq aktuale sa 45 vjet më parë. Vij këtu me besimin se Ju dhe vendi juaj i shkëlqyer do të përdorni ndikimin tuaj në këtë format për të ecur drejt paqes së shumëkërkuar”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se u shokua nga pamjet që pa në zonat e konfliktit në Donbas.

Gazeta Dita