Rama deklaron se nuk ka pasardhës për ta zëvendësuar. – Pushteti është një kafshë e përbindshme.

Edi Rama.
7 Shtator 2026
Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë interesante gjatë një interviste. Ai ka deklaruar se nuk do të lërë pasardhës, duke i prerë shpresën ëndërruesve që bëjnë luftëra të nëndheshme brenda PS për ti zënë postin kryetarit. Pasi eliminoi tre nga ëndërrimtarët që donin ti zinin vendin, Tahiri, Veliaj dhe së fundmi Balluku, Edi Rama ka bërë të qartë se ai ecën me teorinë pas meje të bëhet qameti. Nëpërmjet kësaj interviste kreu i PS ka paralajmëruar se ka ndërmend të lërë të tokë të djegur Partinë socialiste. “Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai duhet të të vrasë.
Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Në momentin që unë do të kaloj pragun e asaj dere, do të shpëtoni nga unë”, deklaroi Rama. Duke pasur eksperiencën e tij me Fatos Nanon, Edi Rama nuk kërkon që kjo kulturë të përcillet në ç’do të ngelet në partinë më të madhe të vendit. Gjithashtu kjo filozofi e refuzimit të një “testamenti politik” përfshin një strategji të mirëmenduar kontrolli dhe mbrojtjeje të pushtetit personal. Duke mos caktuar një trashëgimtar zyrtar, Rama për momentin neutralizon rivalitetet e brendshme dhe eliminon rrezikun e krijimit të fraksioneve që mund ta dobësonin atë përpara kohe.
Në shkencat politike kjo njihet si shmangia e efektit të udhëheqësit pa fuqi, ku në çastin që një lider tregon pasardhësin, vëmendja, besnikëria dhe interesat e strukturave të partisë orientohen menjëherë nga figura e re. Gjithashtu PS pa një udhëheqës që ka forcën ta sfidojë e ta “vrasë” politikisht paraardhësin e tij, Partia Socialiste pas largimit të njeriut që vendoste për çdo gjë do të përballet me një sprovë të ashpër ekzistenciale dhe krizë të thellë drejtimi.
Rama sulmon SPAK
Kryeministri ka komentuar edhe veprimtarinë e SPAK-ut, duke e akuzuar këtë institucion për përdorimin e mediave për të dëmtuar imazhin e personave që më pas përballen me akuza. “Kjo është një nga gjërat më të këqija që ka bërë SPAK-u, që ka përdorur mediat për të baltosur ata të cilët do të merrte nën akuzë. Kjo nuk bëhet”, shprehet Rama. Në intervistë, kryeministri rikthehet edhe te një tjetër përplasje me drejtësinë, duke folur për një vendim gjyqësor që, sipas tij, ka tejkaluar kufijtë e kompetencave të pushtetit gjyqësor. “Prokurori bashkë me një gjykatës u bashkuan bashkë në një dhomë dhe vendosën që të bëjnë kryeministrin, parlamentin dhe presidentin. Unë këtë s’mund ta pranoj”, thotë ai.
Investimi në Sazan
Duke iu referuar investimit në Sazan, Rama mohon që ishulli t’u jetë shitur investitorëve dhe thekson se pronësia do të mbetet e shtetit shqiptar. “Ata nuk po blejnë ishullin. Ata as nuk po marrin pronësinë mbi ishullin. Ai ishull do të jetë pronë e Republikës së Shqipërisë. Nuk jam shitësi i Shqipërisë”, deklaron Rama.
Rama: Ilir Meta është një kafshë e përbindshme që të ha
Rama ka folur edhe për Ilir Metën gjatë intervistës. I pyetur drejtpërdrejt për ish-presidentin Ilir Meta, Rama e ka përshkruar atë si një figurë me aftësi të mëdha politike, por sipas tij, Meta nuk arriti ta përballonte peshën që solli pushteti. Kryeministri e ka përdorur pushtetin si metaforë për një forcë që, sipas tij, ka ndikuar dhe rrëzuar shumë politikanë gjatë karrierës së tyre. Pyetjes se çfarë mendonte për Ilir Metën, Rama iu përgjigj duke e vlerësuar fillimisht për aftësitë e tij politike. “Ishte një talent, talent i madh politik që nuk e mbajti dot peshën”, u shpreh Rama. Më pas, kryeministri e zhvendosi fokusin te raporti mes politikanëve dhe pushtetit, duke e përshkruar këtë të fundit si një forcë që mund të mposhtë edhe figura me përvojë të gjatë politike. “Pushteti është një kafshë e përbindshme. Ka ngrënë, e ka futur nën vete shumë burra”, deklaroi Rama. Në vijim, ai dha edhe një vlerësim të fortë për transformimin që, sipas tij, ka pësuar Meta gjatë viteve. “Domethënë, u katandis në një personazh qesharak”, tha kryeministri.
