Brizida Gjikondi: Rama nuk ka më çfarë t’i japë Shqipërisë, do të mbetet në histori si një autokrat, arrogant, zhbërës i vlerave kombëtare dhe promovues i shpopullimit

7 Shtator 2026
Juristja e njohur, Brizida Gjikondi, gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ka lëshuar akuza të forta ndaj klasës politike në vend dhe ka analizuar zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Ajo cilësoi protestën qytetare të vitit 2026 si një nga ngjarjet më të bukura që i ka ndodhur vendit, duke e parë atë si një lëvizje horizontale që po shkund themelet e një sistemi mafioz.
Sipas Gjikondit, shkaktari kryesor i kësaj revolte popullore është vetë kryeministri Edi Rama me arrogancën, korrupsionin dhe abuzimin e tij me pushtetin. Ajo nënvizoi se Rama nuk ka më çfarë t’i japë Shqipërisë dhe se ai do të mbetet në histori thjesht si një figurë zhgënjyese, autokrat, arrogant dhe promovues i shpopullimit. Ndërkohë, sa i përket proceseve gjyqësore në GJKKO ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, juristja deklaroi prerazi se të dy këta politikanë kanë vdekur moralisht për shqiptarët. Gjikondi i cilësoi përpjekjet e tyre në gjyqësor dhe zvarritjet e seancave si taktika mjerane biznesi për të shpëtuar pasuritë e tyre familjare.
Ajo hodhi poshtë edhe fabulën e konfliktit mes Metës dhe Kryemadhit, duke e parë atë si një manovër të dëshpëruar për t’i ikur përgjegjësisë penale. Në këtë përballje historike me korrupsionin, Gjikondi theksoi se roli i SPAK-ut është jetik për të ndarë dy epoka dhe për të vendosur drejtësinë. Në fund, juristja e njohur, Brizida Gjikondi, u shpreh e bindur se reagimi qytetar do të tronditë jo vetëm sistemin qeveritar, por edhe atë ekonomik e mediatik në vend.
-Znj. Gjikondi, ju keni mbështetur publikisht protestat me bazë qytetare, por si e shihni këtë lëvizje të re të lindur pas “Revolucionit Flamingo”? A mendoni se kjo frymë ka forcën dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për të goditur e tronditur me të vërtetë establishmentin e vjetër politik, apo rrezikon të zbehet si reagimet e mëparshme?
Protesta e 2026-ës është ndër ngjarjet më të bukura që i ka ndodhur Shqipërisë. Autori dhe shkaku kryesor i kësaj ngjarje është vetë Edi Rama, me abuzimin, arrogancën, korrupsionin kriminal, injorimin dhe pabesitë që ka ushtruar ndaj interesave të Shqipërisë. Ai pasi shtiu në dorë pseudo opozitën e Berishës, oligarkët dhe mediat kujtoi se kreu punë me Shqipërinë, por jo, ka Zot. Shqiptarët të vetëdijshëm për jetën e tyre të përkohshme por për rolin e tyre të përjetshëm si hallkë e Shqipërisë që vjen pas, u çuan dhe përmbushën një detyrim moral dhe kombëtar. Protesta s\ka lëvizje politike. Eshte një protestë horizontale ku secili është lider i vetes. Gjeneza dhe vazhdimi i saj janë shumë më shumë se një lëvizje. Eshte shkundja e një sistemi mafioz dhe anti kombëtar që i ka marrë frymën këtij vendi, qe i ka zbuar fëmijët më të mirë, që të keqen e quan të mirë, dhe të mirën e përbuz. Kjo protestë do ndaj dy epoka, do shkundë jo vetëm sistemin qeveritar, por dhe atë ekonomik dhe mediatik. Në këtë proces roli i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është jetik.
-Me nisjen e proceseve gjyqësore në GJKKO ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, opinioni publik është i ndarë. Bazuar në provat e SPAK-ut që janë bërë publike dhe eksperiencën tuaj ligjore, a besoni se do të kemi dënime të formës së prerë për dy nga figurat më të fuqishme të 30 viteve të fundit, apo proceset do të përplasen me manovra procedurale?
Mendoj që të dy ata si Meta dhe Berisha, moralisht kanë vdekur për shqiptarët. Edhe vetë ata e dinë, por interesat dhe bizneset e familjarëve të tyre i mbajnë si beratin me sforcim në këmbë, sidomos Berishën. Që s’ka Amerikë që ja heq damkën si një personazh i padenjë dhe qënie përçarëse dhe moralisht e korruptuar për shqiptarët.
-Zgjatja e seancave dhe zvarritja e gjyqeve po shihet si një taktikë mbrojtëse. Meta po deklaron hapur se përgjegjësia financiare i takon znj. Kryemadhi meqë vetë ‘nuk ka firmosur asgjë’. A është kjo një strategji e mirëmenduar ligjore për t’ia hedhur paq drejtësisë duke ia faturuar gjithçka bashkëshortes, apo një lëvizje e dëshpëruar që nuk do ta shpëtojë nga përgjegjësia penale?
Nuk i besoj fabulës së konfliktit midis tyre, seancat e fundit kanë vërtetuar ç’ka them. Mendoj që janë taktika mjerane biznesi për të shpëtuar çka munden. Trishtimi më i madh është qasja e tyre mediatike, cinike dhe provokuese ndaj moralit kombëtar, por ka dhe të tjerët si ata që janë nëpër qeli, aq vlejnë, siç thonë dhe shkrimet e shenjta… pasuria jote është aty ku ke zemren, ndaj dhe ata aq vlejnë.
-Pavarësisht grumbullimit të skandaleve korruptive e kriminale dhe hetimit të figurave kyçe të kabinetit, Rama vazhdon të mbajë pushtetin. Si e shihni ecurinë e kësaj qeverisjeje? A rrezikon seriozisht Edi Rama që të mos e çojë deri në fund këtë mandat 4-vjeçar nën presionin e drejtësisë dhe pakënaqësisë publike…
Edi Rama nuk ka më çfarë t’i marrë dhe t’i japë Shqipërisë, do të mbetet në histori si një figurë zhgënjyese, zhbërës i vlerave më të shenjta të kombit shqiptar, autokrat, arrogant dhe promovues i emigrimit të shqiptarëve dhe promovues i vetive më të liga që mund të zhbëjnë një komb.
Intervistoi: Rigels Seliman
