“Korporata e Investimeve”

Pse u krijua Korporata e Investimeve?

28 janar 2019.

Nga: Sabina Veizaj

Me një klimë biznesi të nderë dhe të përkeqësuar duke u renditur të fundit në rajon nga Doing Business (raport i përvitshëm i Bankës Botërore), veçanërisht për monopolet dhe konkurrencën e pandershme, nivelin e informalitetit dhe tenderët e dyshimtë e jotransaprent; qeveria pasi arnon ligjin për koncensionet, vendos ta plotësojë paralelisht me një të dytë duke krijuar Korporatën e Investimeve Shqiptare.

Korporata që nga qeveria konsiderohet si inovacion, krijohet si shoqëri tregtare, e organizuar në formën e një shoqërie aksionere, e cila do të marrë në pronësi për të menaxhuar dhe për të përdorur për investime, të gjitha pronat shtetërore dhe publike të vendit.

Objekti i veprimtarisë së Korporatës është përmirësimi i menaxhimit të pronës publike, krijimi i pronave të reja, vënia në përdorim me eficiencë të pronave, përgatitja dhe zbatimi i projekteve të investimit, dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Pra, projektligji parashikon kalimin e pronës publike tek privatët për investime të ndryshme, por ajo që bie në sy dhe është shqetësuese, kalimi i pronave nuk kalon përmes procedurës së Prokurimit Publik.

Në të njëjtën kohë korporata parashikohet të jetë në “pronësi” të qeverisë, e cila vendos se kujt do t’ia kalojë këtë pronë.

Mandej projektligji parashikon lejimin e Koporatës të marrë kredi nga çdo lloj institucioni financiar, pa pasur nevojë për miratim nga askush. Si garanci për kreditë që do të merren, Korporata, mund të lërë pronat që ka në zotërim dhe menaxhim. Nëse ajo humbet aftësinë paguese për huatë e marra, rrezikon të humbë garancinë që në këtë rast është prona publike.

Pra, nga shfuqizimi i ofertës së pakërkuar për rrugët, qeveria vendos me ligj të kërkojë vetë biznese që t’u japë pronat publike.

Çfarë mendojnë ekspertët?

Në mënyrën se si korporata është menduar të funksionojë, ekspertët janë katërcipërisht kundër, duke e konsideruar një institucion që do t’u japë pronat publike oligarkëve dhe klientëve të qeverisë.

Ilir Hysa, ekspert i Moody’s, e përkufizon krijimin e Korporatës së Investimeve si sajesë e cila të krijon më shumë skepticizëm sesa shpresë.

“Në sytë e qytetarëve të gjendur në rrethanat rropatëse të Shqipërisë, krijimi i këtij institucioni do të përbënte një hallkë të re burokratike shtetërore, me të cilat njerëzit janë lodhur duke financuar”, thotë Hysa për Gazetën “Si”

Sipas projektiligjit, korporata do të ketë një asamble të përgjithshme, një këshill mbikëqyrës, një drejtor ekzekutiv dhe një bord këshillimor. “Kush do t’i paguajë rrogat e majme të këtyre njerëzve?” ngre ai pyetjet duke sqaruar se, “modele të tilla ekzistojnë në botë dhe duket se përçapja e qeverisë është krijimi i një modeli si ai që funksionon në Afrikën e Jugut që nga viti 1911. Çështja është se organizmat publikë të investimeve janë zakonisht produktivë në shoqëri (jo domosdoshmërisht të zhvilluara) me një sistem të konsoliduar financiar, qeverisje të besueshme dhe institucione shtetërore funksionale, elementë që Shqipërisë i mungojnë.”

Për ekspertin e Moody’s, kjo nismë nuk shënon ndonjë hap përpara në drejtimin e sinqeritetit dhe transaprencës që kërkon qytetari.

Ai gjykon se qeveria me krijimin e kësaj Korporate, ka humbur një mundësi të mirë për ta bërë Korporatën një institucion të besueshëm e të dëshirueshëm për qytetarët.

Pse i duhet Korporata Publike e Investimeve Shqipërisë? A nuk u bindën shqiptarët se tregu i lirë, jo shteti, e inkurajon iniciativën e lirë? A është ky truku i radhës për ta bërë qeverinë të duket e sukseshme? Qeverisjet e sukseshme bëhen të tilla jo nga gjëra të tilla, por sepse i rezistojnë tundimit për të futur hundët aty ku nuk duhet. Sa për Korporatën, ka vetëm një skenar në të cilin ajo mund të bëhet e suksesshme: Nëse ajo drejtohet nga profesionistë të ndershëm e të përkushtuar. Por të kërkosh një gjë të tillë në moçalin e korrupsionit në Tiranë do të konsiderohej utopi”, analizon Hysa duke shtuar se, “nëse i referohemi periudhës së gjatë të tranzicionit, njëri nga faktet më të pakontestueshëm që kemi mësuar, është dështimi i sektorit publik dhe institucioneve shtetërore dhe lulëzimi i atij privat, ndonëse në kushte të vështira. Atëhere, pse insistojmë në diçka që nuk ka funksionuar dhe ka gjasa të dështojë sërisht?!”