Profesor Gaçe, arkiv që nuk shteron kurrë

Fitim Çaushi

Pas botimit të një sërë monografish për figura me vlera të spikatura atdhetare dhe kulturore, veçanërisht dy botimeve kreative për etnokulturën shqiptare: “Aspekte të Etnokulturës Shqiptare” dhe “Gjurmime Albanaologjike”, Prof. Bardhosh Gaçe boton së fundi monografinë e arrirë për Beqir Velo Kaninën.

Edhe përmes këtij botimi, duket se arkivi i Prof. Gaçes nuk do të shterojë kurrë, ai mbetet një njohës i mirë i historisë dhe i etnokulturës të zonës së Vlorës dhe më tej, të jugut të Shqipërisë, e herë-herë me njohje të thelluara edhe në zonat e tjera të vendit.

Duke lexuar studimet e Prof. Gaçes, krijon një përfytyrim të plotë të rrethanave historike dhe shoqërorore, ku u lind dhe veproi protagonisti, për traditën dhe kontributin e vendlindjes dhe gjithë krahinës së tij, në thesarin e madh kombëtar, aq sa shpesh themi, se punimet e prof. Gaçes, e vendosin atë në pozitën e një kronisti të kohës së çdo protagonisti, që formësohet i skalitur me profesionalizëm e përkushtim prej tij.

Këtë avantazh dhe pasuri kulturore, prof. Gaçes ia ka dhënë puna studimore sistematike dhe mbledhja e dokumenteve, kujtimeve, relikeve dhe emocioneve patriotike, me të cilat ka kontaktuar gjatë gjithë jetës së tij studimore; ai nuk ka qenë indiferent ndaj vezullimit të tyre, por i ka mbledhur ato si “pastërma”, për t’i përdorur kur t’ia lyp nevoja. Në këtë kontekst prof. Gaçe duket si një ekspolator i palodhur, i kudogjendur në tërë krahinën e Vlorës, i vëmendshëm deri në përgjërim për vlerat me rrezatime  atdhetare dhe kulturore të komunitetit të kësaj zone.

Në monografinë “Luftëtari i lirisë Beqir Velo Kanina”, autori i pasqyron ngjarjet në një lidhje dialektike dhe frymëmarrje të njëra-tjetrës, në korrelacion me veprime dhe jehona të personazheve historikë të fshatrave për rreth, brenda kontekstit të ngjarjeve të mëdha kombëtare,  ndërsa protagonistin e evidenton me rritje të vazhdueshme mes atdhetarësh e luftëtarësh, të cilët nuk i kanë munguar kurrë kohërave në trevat e Vlorës heroike.

Mbështetur mbi dokumente dhe hulumtime të shumta, autori jep djepin e formimit patriotik dhe revolucionar të Beqirit të ri, familjen, e cila i kishte dhënë krahinës një luftëtar në betejat antiturke qysh në kohën e Tanzimatit. Lexuesi njihet me betejat e Beqirit të parë, në krye të luftëtarëve të Kaninës, në brigjet e Shushcës në Mesaplik, në grykat e Kuçit etj., kundër taborëve osmanë.

Me këtë shpirt lirie u mbrujt edhe nipi i tij, Beqo Velo Kanina i ri, i cili u bë propagandist i flaktë i gjuhës shqipe, si mësues shëtitës. Me punën e tij të palodhur, ai dha një ndihmesë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në masivizimin e përhapjes së shkollave shqipe në krahinat e Vlorës. Por nuk ishte e lehtë në kohë pushtimi, për të përhapur gjuhën dhe shkollat shqipe në Shqipërinë e asaj kohe. Pavarësisht rrezikut, Beqir Velua punoi në konspiracion për të krijuar disa vatra iluminizmi dhe patriotizmi në fshatrat e krahinës së tij.

Profesor Gaçe, si një arkiv i vërtetë,  përmend edhe bashkëpunëtorët e protagonistit në veprimtarinë e tij atdhetare, të cilët janë disa dhjetra nga fshatra të ndryshme, që e pasurojnë dhe i japin monografisë frymëmarje të gjerë, me të cilët autori jo vetëm sjell atmosferën e kohës, por edhe një vatër përherë të ndezur të patriotizmit dhe sakrificave për interesat e larta të vendit, si : Elmaz Xhaferin, Arshi Selfon, Hamza Isain, Ibrahim Abdullain, Qamil Risilinë, Hamit Lumin dhe vazhdon me të tjerë atdhetarë: Abas Kaninën, Ahmet Dyrmishin, Jorgo Kolekën, Mehmet Radhimën, Xhevit Vranari, Naim Bimo, Dr. Tasim Peshkëpia, Elmaz Xhaferi, Shyqyri Radhima, Nonda Koleka, Hamza Isai, Alem Mehmeti, Ceno Sharra, Hydai Myftiu, Zaçe  Xhelo, me të cilkët prof. Gaçe do të dëshmojë se patriotizmi në zonën e Vlorës gjatë gjithë historisë, kishte karakter masiv. Ishte ky realitet, që i dha mbijetesën trevës së Labërisë dhe tërë popullit shqiptar.

Prof. Gaçe përmes hulumtimeve të shumta, na njeh me veprimtarinë anti-zogiste të Beqir Velos, dhe pas dështimit të revolucionit të Qershorit 1924, protagonisti përjeton vështirësi të shumta të jetës së emigracionit në Bari të Italisë, por edhe tragjedi  tronditëse, si ajo e vrasjes së Luigj Gurakuqit. Beqir Velo Kanina, si një intelektual me bindje demokratike dhe revolucionare, lidhet me patriotë si Halim Xhelon dhe një sërë atdhetarësh antizogistë, me të cilët organizon veprimtari të ndryshme patriotike.

Autori na njeh me kthimin e protagonistit në Shqipëri në shtator 1938 dhe përfshirjen e tij në lëvizjen antifashiste gjatë okupacionit nazifashist. Lidhet me antifashistët e parë Teli Ndini, Lef Sallata dhe në demostrata e 28 nëntorit 1942, arrestohet nga fashizmi. Në atë situatë lufte, ku veprimtaria antifashiste përfshiu tërë popullin, Beqir Velo Kanina u rreshtua në forcat vullnetare në Kaninë dhe Drashovicë dhe merr pjesë në komandën e vendit, në luftën e madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Prof. Gaçe ka përfshirë në botim edhe kujtime dhe vjershërime të një sërë krijuesisht, për jetën dhe punën e Beqir Velo Kaninës. Ato e kanë bërë më plotësuese veprimtarinë shumëvjeçare të protagonistit në luftën politike dhe shoqrëore të kohës.

Është meritë e prof. Gaçes në këtë punim serioz, përdorimi i një dokumentaciont të pasur me referenca të shumta, për ta bërë të besueshëm veprimtarinë e propagonistit që përmban monografia, si dhe për të hedhur dritë mbi kontributin atdhetar të tij dhe familjes Velo nga Kanina. Krahas dokumentacionit të pasur, autori përdor një gjuhë të bukur, një narracion të rrjedhshëm, që të nxit ta lexosh me një frymë studimin.

Gazeta Dita