Diaspora vijon të bashkohet në protestë, sot thirrje për tu mbledhur në shesh në Torino, Pisa e Parma

Nga Alba Kepi
Novara, Fermo, Torino, Pistoia, Pisa, Padova, Parma, Milano, Nettuno, Roma. Janë me dhjetëra sheshe italiane ku emigrantët shqiptarë po shprehin solidaritetin dhe zemërimin e tyre ndaj qeverisë së Tiranës, duke iu bashkuar protestave që prej ditësh kanë përfshirë Shqipërinë.
Një javë më parë nisi vala e reagimeve të diasporës dhe tashmë ajo është rikthyer për herë të dytë, më e organizuar dhe më e vendosur. Me qindra emigrantë shqiptarë kanë udhëtuar që prej së premtes dhe gjatë fundjavës për t’iu bashkuar asaj që ata e quajnë revolucion qytetar, një lëvizje që prej 14 ditësh ka mbërthyer Shqipërinë.
“Shqipëria e lirë”, “Nuk jemi në shitje”, “Poshtë korrupsioni”, “Larg duart nga pasuritë kombëtare”, “Shqipëria është e jona” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan në tubimet e organizuara nga shqiptarët në Itali. Aktivizmi i tyre ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave lokale, të cilat kanë nisur të shtrojnë pyetjen: Çfarë po ndodh në Shqipëri?
Kjo vëmendje mediatike i kishte munguar prej vitesh vendit. Shqipëria përmendej kryesisht në kontekstin e marrëveshjeve ndërqeveritare ose të çështjeve që lidhen me emigracionin. Sot, megjithatë, tabloja është ndryshe. Në raportimet e mediave të huaja po zënë vend shqetësimet që qytetarët shqiptarë artikulojnë prej kohësh: korrupsioni i përhapur, kapja e institucioneve, abuzimi me pasuritë publike, fuqizimi i krimit të organizuar dhe i mafies, si dhe largimi masiv i të rinjve nga vendi.
Ajo që nisi si një protestë për të mbrojtur Zvernecin, Nartën, natyrën dhe pasuritë publike, është shndërruar në një lëvizje shumë më të madhe qytetare. Fillimisht qytetarët dolën në mbrojtje të një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit, duke kundërshtuar projekte që sipas tyre rrezikojnë mjedisin, biodiversitetin dhe interesin publik. Por me kalimin e ditëve, protesta ka marrë një dimension të ri.
Sot, qytetarët nuk flasin më vetëm për Zvernecin apo Nartën. Ata flasin për mënyrën se si qeveriset vendi, për mungesën e transparencës, për padrejtësitë sociale, për korrupsionin që sipas tyre ka depërtuar në çdo hallkë të shtetit dhe për lidhjet që denoncojnë mes pushtetit, krimit të organizuar dhe interesave ekonomike që përfitojnë nga pasuritë e përbashkëta.
Pikërisht për këtë arsye protesta ka tejkaluar kufijtë e një kauze lokale. Ajo është kthyer në një revoltë qytetare që bashkon shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Në qytetet italiane ku jeton një numër i madh emigrantësh shqiptarë, protestuesit kanë zgjedhur të mos qëndrojnë spektatorë. Ata kanë dalë në sheshe për të treguar se, edhe pse larg atdheut, vazhdojnë të ndihen pjesë e fatit të tij.
Edhe sot pasdite është njoftuar organizim i protestave në Torino, Pisa e Parma.
Mesazhi që vjen nga këto protesta është i drejtpërdrejtë. Për shumë prej pjesëmarrësve, problemi nuk kufizohet më te një projekt, një vendim apo një çështje e vetme. Sipas tyre, Shqipëria ndodhet përballë një krize të thellë besimi ndaj institucioneve dhe modelit aktual të qeverisjes.
Për këtë arsye, kërkesa që dëgjohet gjithnjë e më shpesh në sheshet e Shqipërisë dhe të Italisë është vetëm një: kjo qeveri duhet të japë dorëheqjen.
Nga Tirana në Romë, nga Vlora në Milano, nga Narta në Torino, mijëra shqiptarë po përcjellin të njëjtin mesazh: Shqipëria është e qytetarëve të saj, pasuritë e saj nuk janë në shitje dhe e ardhmja e vendit nuk mund të ndërtohet mbi korrupsionin, krimin e organizuar dhe interesat e një pakice të privilegjuar.
