26 Shtator 2025

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka folur dje për drejtësinë e re në vend. Ai vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e institucioneve, ndërsa shtoi se roli i tyre është i pazëvendësueshëm. Ai foli dhe për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi drejtuesit aktual Altin Dumanit i mbaron mandati në muajin dhjetor. Sipas Begajt, zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK në mënyrë të drejtë, transparente është veprimi i duhur jo sepse e kërkojnë ndërkombëtarët, por kjo është kërkesë dhe një e drejtë që e do vetë populli shqiptar.

Pjesë nga Intervista në “Real Story”:

Sokol Balla: z.President, kam dy pyetje që lidhen me drejtësinë e re, që vijon të quhet një sukses i Shqipërisë. SPAK duket se ka gjetur një mbështetje amerikane që të gjithë mendonim se e kishte humbur por fokusi duket që është pak më ndryshe. Pra alarmi amerikan është, jemi me ju luftoni krimin e organizuar, luftoni trafiqet, dhe godisni krimin pavarësisht me kë është i lidhur ai. Pra, është mbështetje, por duket se ka edhe një kritikë apo jo?

Presidenti Bajram Begaj: Unë mendoj që SHBA nuk do ta heqin vëmendjen e duhur nga Ballkani Perëndimor asnjëherë dhe për të ardhur te pyetja juaj, patjetër që prania e SHBA në ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë ka një rol të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare dhe besoj se me deklarimin e fundit, unë them se është pjesë e misionit të SPAK dhe GJKKO për të bërë të mundur që atë reformë të nisur në 2016, sot në 2025 të kemi një drejtësi funksionale, një drejtësi e cila zbaton procedurat standarde ligjore sipas standardeve të BE, dhe patjetër të ketë një transparencë dhe llogaridhënie nga  këto institucione të cilat për fatin e mirë janë institucione të cilat vetëmenaxhohen nga vetë personat apo profesionistët e kësaj fushe.

Sokol Balla: Megjithatë z.President ka një shqetësim në rritje edhe nga SHBA por edhe nga BE që kërkojnë më shumë transparencë sidomos në momentet kur SPAK zgjedh kreun e saj të ri. Çfarë mund të bëjë më shumë Presidenti i Republikës për të garantuar këtë proces që pritet të nisë me 18 dhe të mbarojë diku në 20 dhjetor.

Presidenti Bajram Begaj: Unë sapo e thashë që reforma në drejtësi bëri të mundur që sistemi I drejtësisë të organizohet në bazë të disa institucioneve të cilat janë vetërregulluese dhe nuk kërkojnë dhe nuk kanë asnjë dritare të mundur që të ndikohet nga politika e aq më pak nga Presidenti i Republikës. Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK në mënyrë të drejtë, transparente është mënyra e duhur jo sepse e kërkojnë ndërkombëtarët por sepse e kërkojnë shqiptarët.

Sokol Balla: Jemi këtu, për çdo njeri ky pallat i qelqtë është qeveria e botës, pavarësisht kritikave. Sigurisht fjala e një kreu shteti është një moment kulminant në karrierë, si e përjetuat këtë dhe janë këto ato momentet që pavarësisht presioneve, sulmeve ‘poshtë barkut’ nga ato që keni përballë, ti thua OK ky është momenti ku unë nuk pendohem që pranova të bëhem President i Republikës.

Presidenti Bajram Begaj: Vërtetë jemi në një vend ku kjo ndërtesë bën të mundur që të prevalojë dialogu politik mbi ndarjen, të prevalojë bashkëpunimi mbi konfliktin dhe mendoj që pas takimit të djeshëm të Presidentit Trump me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pati edhe një lloj vlerësimi për këtë Organizatë që me të drejtë siç u tha nga Presidenti Trump nuk ka ndaluar asnjë luftë, por punon shumë për të bashkëpunuar në drejtim të sfidave të ndryshme që ka mbarë globi. Unë mendoj që një individ të vijë të mbajë një fjalë të tillë në një sallë aq prestigjioze është nder dhe privilegj. Por ta mbash atë në gjuhën kombëtare unë them se është krenari.