
Ekuadori përmend “mafian shqiptare” në OKB, a duhet të reagojë diplomacia?
26 Shtator 2025
Një deklaratë e fortë dhe befasuese nga Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, Gabriela Sommerfeld, ka vënë Shqipërën për keq në fokusin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sommerfeld përmendi ‘mafian shqiptare’ si pjesë të rrjeteve kriminale transnacionale që sipas saj, kanë kapur ekonomi, politika dhe institucione në Amerikën Latine, krahas karteleve të njohura si Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación.
“Kemi të bëjmë me organizata kriminale me emra si Sinaloa, Jalisco Nueva Generación, mafia shqiptare dhe të tjera, të cilat ushqejnë korrupsionin, destabilizojnë shtetet dhe pengojnë zhvillimin”, tha ajo në fjalimin zyrtar në OKB.
Më tej, ajo shtoi se vetëm gjatë vitit 2023, Ekuadori ka sekuestruar mbi 294 tonë drogë dhe po shtyn reformat që parashikojnë lejimin e bazave të huaja ushtarake për të ndihmuar në kontrollin e territorit.
Vende si Italia, Belgjika, Spanja dhe Britania e Madhe i kanë përmendur shpesh rrjetet shqiptare si pjesë e krimeve të rënda në Europë, duke përdorur shprehje si “mafia shqiptare”.
Por ndryshimi qëndron tek përdorimi i këtij termi në skenën më të lartë diplomatike të botës, në Asamblenë e OKB-së, gjë që në vetvete bart pasoja serioze për imazhin e Shqipërisë si shtet dhe për shqiptarët si diasporë.
Ky moment mund të shfrytëzohet si mundësi nga Tirana zyrtare: jo vetëm për të sqaruar qëndrimin ndaj krimit, por edhe për të pozicionuar veten si partnere e besueshme në luftën kundër krimit të organizuar global.
Përndryshe, narrativa që ndërtojnë të tjerët do të vijojë të formësojë perceptim të ekzagjeruar për shqiptarët në botë.
Gazeta Dita