Platforma perverse e Ramës.-

Nga: Mentor Nazarko.

Shfaqja e fundit në kryeministri kur një qytetare i rezervoi Ramës një përqafim të ngrohtë,  (sipas saj- zgjidhja e çështjes së hipotekës të saj nga ana e platformës Shqipëria që duam ishte një ngjarje madhore që i kishte ndodhur vetëm kur i lindën fëmijët) duket me  të vërtetë një fakt i veçantë që meriton koment.

Ajo shfaqje në fakt, ishte një shfaqje televizive e veprimtarisë online të një platforme, po e quajmë agjenci ose instrument virtual të ashtuquajtur ‘Shqipëria që Duam’ të vënë në lëvizje nga kryeministri menjëherë pas fitores së zgjedhjeve. Një instrument i ri politik, i cili për shumë arsye meriton të komentohet.

Unë e kam quajtur ‘platforma perverse’ e Ramës, duke ndërtuar një metaforë, sepse në fund të fundit kjo është një platformë, një instrument jo thjesht komunikimi, por edhe zgjidhjesh problemesh apo denoncim problemesh i qytetarëve pranë kryeministrisë, jo nëpërmjet kanaleve ligjore. Pra nuk është një agjenci e parashikuar me ligj, nuk funksionon sipas ligjeve të shtetit shqiptar apo sipas Kushtetutës së tij, sipas rregulloreve të tij, por sipas një mekanizmi që mund ta quajmë mekanizëm vetëqeverisës. Për këtë arsye quhet edhe platforma e bashkëqeverisjes.

Në qoftë se nisemi nga rrënja  e fjalës ‘perverse’ e cila do të thotë të shndërrosh, qoftë edhe për keq, të zhbësh nga themelet, kjo platformë në një kuptim e ka edhe këtë dimension. Nëpërmjet kanaleve jo ligjore, joinstitucionale tenton që të shndërrohet në një lloj alternative për qeverisjen klasike që zhvillohet në bazë të një kuadri rregullator e ligjor.

Por nuk është vetëm kaq. Le të përpiqemi që të eksplorojmë në mënyrë analitike disa prej atyre që janë dimensionet e kësaj platforme.

Kjo platformë është moderne, sepse e përfshin qytetarin në një komunikim digjital, në erën digjitale, por në origjinën e vet kjo është një platformë primitive, është e lidhur me raportin që kanë qytetarët me mbretin e tyre, tek i cili investojnë besim, tek i cili besojnë në mënyrë idilike dhe magjepsëse. Besojnë se ai është i paprekur, i pamolepsur nga të këqijat e sistemit, se uji vjen i pastër nga lart , por turbullohet rrugës.

Kjo është një shfaqje që në kohërat e lashta, është perandorake, është monarkiste, e kohës së Enver Hoxhës nëse duam, ku letrat nga populli që i drejtoheshin udhëheqësit kanë qenë një normë dominante, që ishte alternative në atë sistemin ligjor e rregullator ku funksiononte.

Është një formë e cila supozohet se vazhdon të funksionojë edhe sot në Shqipëri. Qytetarët kanë dëshirë që të komunikojnë me të parin e tyre. Sigurisht Rama, i pari i tyre-(për konvencion po përdorim fjalën-i pari i tyre) nuk ka vetëm këtë formë komunikimi- Ai dhe Ata, pasi është edhe komunikimi nëpërmjet mesazheve, formë komunikimi e drejtëpërdrejtë. Ndërkohë në lidhje me platformën me siguri ekziston një ushtri, një ushtri e tërë që inspekton, që paguhet që zgjidh problemet, që sugjeron. Një institucion më vete, nuk e di se në bazën e cilit ligj funksionon, e cila shqyrton këto ankesa, nuk e di mbi cilat parametra paguhet, a i nënshtrohet ligjit të shërbimit civil apo jo, apo është një mekanizëm vullnetar…

Siç të lë të kuptosh një shikim i shpejtë i kësaj platforme, (si edhe shfaqja si ajo, ku qytetarja dëshironte ta përqafonte Ramën sepse kishte regjistruar pronën që kishte mundësi ta shiste, ta jepte me qera etj, )Rama ka instaluar një formë tjetër të drejtpërdrejtë të lidhjes me… masat. Po i jep zë atyre, po i përgjigjet problemeve të tyre, po synon të rregullojë qeverisjen, etj, etj. Pamë që ka raste zgjidhjesh: mitologjia funksionon ,- thashethemnaja gojë më gojë e qytetarëve që kanë mundur të gjejnë zgjidhje nëpërmjet kësaj platforme, funksionon më mirë se sa çdo sistem tjetër propagandimi. Kjo është një formë alternative e sistemit aktual kushtetues, e pushtetit ekzekutiv që kemi, e cila po e rrit fuqinë e vet në varësi të numrit të qytetarëve që përfshihen, në varësi të rasteve të zgjidhura, në varësi të problemeve që krijohen  nga (për konvencion po i quajmë kështu) feudalët e rëndësishëm apo atyre më të parëndësishëm të sistemit tonë ekzekutiv.

Kjo mënyrë komunikimi, siç u përmend është edhe primitive, edhe moderne, po përdoret edhe nga ai që është rivali historik i Ramës, zoti Berisha, por kryesisht në formën e vet denoncuese dhe jo zgjidhëse të problemeve. Është i ashtëquajturi qytetari digjital, por që nuk ka një strukturë të tillë, në formën e një organizmi, në formën e një institucioni siç është platforma ‘ Shqipëria që duam’, një platformë bashkeqeverisësse siç e quan Rama, në mënyrë emfatike. Pra nuk është një shpikje kokëmëvete e Ramës. Berisha bën, zhvillon, artikulon vetëm dimensionin denoncues të ngjashëm me atë te platforma e bashkëqeverisjes ‘Shqipëria që duam’.

Disa vëzhgime

Kjo platformë e centralizon pushtetin, e identifikon pushtetin vetëm më një person, që është kryeministri Rama. Platforma  në kushtet e relativizimit të ndarjeve ideologjike, të majta e të djathta, e rrit shumë fuqinë dhe autoritetin e kryeministrit. Që tani, thuhet se ekzistojnë sondazhe të cilat thonë se popullariteti i kryeministrit është më i madh se popullariteti i qeverisë së tij.

Kjo platformë synon të krijojë idenë e shpresës te qytetarët si të majtë, si të djathtë, të cilët kanë probleme që duan të zgjidhin pavarësisht se i përkasin një kahu politik të majtë ose të djathtë.  Po ta vësh re në këtë platformë luhet shumë me ngjyrat, ajo ka kryesisht ngjyrat kuqezi, disa prej kategorive janë të kuqe e disa të zeza, disa bashki ku ka fituar e majta janë të kuqe, e disa bashki ku ka fituar e djathta janë të zeza. Pra luhet me ngjyrat, që është një nga mjeshtëritë e kryeministrit dhe kjo është një platformë që ka krijuar një lloj pushteti alternativ, ilegal në Shqipëri.

A është kjo diçka e shëndetshme?

Mbetet për tu provuar e diskutuar. Komenti im nuk synon që të japë një përgjigje shteruese për të gjitha këto pyetje, por për të nxitur debatin mbi këtë formë komunikimi të kryeministrit me qytetarët, e cila në fakt nuk është thjesht dhe vetëm komunikim i tij, por i një institucioni ‘ ad hoc’ të ngritur prej tij që siç duket nga shifrat e dhëna nga vetë platforma funksionon.

Në mitologjinë e përgjithshme popullore flitet se këta inspektorët e platformës janë bërë të tmerrshëm, janë bërë të frikshëm: pasi në qoftë se për konvencion do t’i quajmë ministrat feudalët e mëdhenj të këtij pushteti, për vartësit e tyre të paktën janë kthyer në një problem të madh sepse një mekanizëm i tillë është i frikshëm për ta! Pse? Sepse përveçse i vendos ata në vëmendje publike, i vendos edhe në vëmendjen e kryeministrit i cili ka qejf pastaj, në emër të shenjtërimit të mekanizmit t’ia nënshtrojë gijotinës publike pa kurrfarë mëshire fatet e tyre, karrierat e tyre.

Kjo është një platformë e cila ndërlidhet me ato skenat e gjyqeve publike, që zakonisht kryeministri ua ka rezervuar drejtorëve të hipotekave, ndonjë drejtori të arsimit etj etj.

Është një instrument sa modern aq dhe primitiv, por pjesërisht aktiv… në demokracinë evropiane që shohim sot në vende të ndryshme. Nuk dihet nga kush është këshilluar Rama, pasi dihet që është një njeri që këshillohet me ekspertë të nivelit të lartë si ish-kryeministra, qoftë edhe të vendeve të fuqishme, siç është Toni Bler, qoftë edhe të vendeve që kanë pasur eksperienca fillimisht të suksesshme në transformimin e tyre nga komunizmi në kapitalizëm, siç është ish-presidenti i Gjeorgjisë.

Platforma është një instrument që do të bëjë të flitet gjatë për të dhe që duket se lulëzon.

Është një instrument me siguri edhe elektoral, që relativizon partitë, që relativizon institucionet, është një instrument i cili nëse fuqizohet mund të bëhet i frikshëm edhe për feudalët edhe për ministrat, edhe për kryetarët e bashkive, të cilët ngjajnë se hëpërhë janë të paprekshëm në këtë platformë.

Kjo është një platformë që ruan anonimatin e atyre që ankohen, në të cilën asnjë nuk mund të shikojë atë për çfarë ankohen të tjerët. Është një platformë e cila është një sfidë jo vetëm për ligjet dhe institucionet dhe Kushtetutën, por edhe për shoqërinë civile për shkak të numrit të njerëzve që po arrin të mobilizojë.

Ky shkrim ishte thjesht një sprovë për të analizuar një instrument, një institucion publik, ( po e quajmë publik për shkak të interesit që diskutohet në të), që synon të relativizojë gjithçka. Për këtë arsye e quajtëm perverse, sepse e rrënon, e gërryen sadopak sistemin ekzistues politiko-juridik.

A po e bën këtë vepër të vetë për të përmirësuar sistemin apo duke e përmirësuar?

Kjo është një çështje për të cilën do duhet diskutuar më gjatë…

Nga: Konica Al.