Plas sherri tek Ministria e Ekonomisë, tentativa për manipulim të ankandit të Marinës në Porto Palermo, zarfet e…

27 Shkurt 2026
Një konflikt fizik është regjistruar ditën e martë në ambientet e Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, lidhur me procedurën e ankandit për objektet e Marinës në Porto Palermo, në Bashkia Himarë. Sipas njoftimit të bërë nga punonjës të ministrisë që kanë qenë dëshmitarë të situatës, një biznesmen është konfliktuar me punonjës të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për manipulimin e tenderit. Konflikti ka ardhur, sipas tyre, pasi Komisioni donte të favorizonte një ofertues tjetër që nuk plotësonte kriteret e ankandit.
Paralelisht me ngjarjen, përveç sherrit një tjetër biznesmen ka vendosur që të depozitojë një kallëzim penal për “shpërdorim detyre”, “manipulim ankandi” dhe “shkelje të barazisë në procedurë publike” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me këtë skandal. Kallëzimi penal është drejtuar kundër anëtarëve të Komisionit të Ankandit të zhvilluar pranë ministrisë për objektet e Marinës në Porto Palermo, punonjëses së protokollit dhe çdo personi tjetër që do të rezultojë i përfshirë nga hetimi.
Detajet
Në kallëzim kërkohet hetimi i veprave penale të: “Shpërdorimit të detyrës” (neni 248 i Kodit Penal); “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” (neni 258 i Kodit Penal); “Falsifikimit të dokumenteve” ose përdorimit të dokumenteve të parregullta, nëse provohet manipulim i zarfit; Si dhe çdo vepre tjetër penale që do të rezultojë nga hetimi. Sipas kallëzimit, më datë 24.02.2026, pranë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit u zhvillua ankandi për dhënien në përdorim/administrim të objekteve të Marinës në Porto Palermo, Bashkia Himarë.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në APP, ofertat me zarf të mbyllur duhet të dorëzoheshin pranë Komisionit të Ankandit në orën e zhvillimit të procedurës, konkretisht në orën 10:00. Sipas kallëzuesve, ata janë paraqitur në institucion në orën 09:15 dhe kanë kërkuar zyrën e ankandeve për të dorëzuar ofertat në përputhje me njoftimin. Punonjësja e protokollit ka deklaruar se zarfet duhet të dorëzoheshin në protokoll dhe se në të kundërt nuk do të lejoheshin të merrnin pjesë në ankand. Në kallëzim thuhet se ky veprim përbën devijim nga procedura e shpallur. Nën deklarimin se do të përjashtoheshin nga procedura, zarfet e mbyllura janë dorëzuar në protokoll, ku u është vendosur numër protokolli.
Skandali
Sipas rrethanave të përshkruara, në momentin e hyrjes në ambientin e zhvillimit të ankandit, në orën 10:10, është konstatuar se zarfi i dorëzuar ishte i hapur. Kjo situatë është ngritur menjëherë përpara Komisionit, duke deklaruar se zarfi ishte dorëzuar i mbyllur. Megjithatë, sipas kallëzimit, Komisioni nuk ka pezulluar procedurën dhe nuk ka verifikuar faktin, por ka vendosur skualifikimin me arsyetimin formal se “zarfi është i hapur”. Në kallëzim theksohet se ky veprim përbën: Cënim të integritetit të ofertës; Dyshim për ndërhyrje në dokumentacion; Shkelje të parimit të barazisë dhe transparencës. Gjithashtu theksohet se, nëse zarfi do të kishte qenë i hapur në momentin e dorëzimit në protokoll, punonjësja e protokollit kishte detyrim të evidentonte gjendjen e tij dhe të protokollonte përmbajtjen, gjë që, sipas kallëzimit, nuk ka ndodhur.
Skualifikime dhe kualifikim me dokumentacion të paplotë
Sipas kallëzimit penal, Komisioni ka skualifikuar dy operatorë ekonomikë dhe ka kualifikuar një person fizik, të cilit iu pranua dokumentacion i paplotë, konkretisht një deklaratë e panoterizuar, në kundërshtim me kërkesat e dokumenteve të ankandit. Në kallëzim argumentohet se ky standard i ndryshëm në trajtim përbën element të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në procedurë. Në përfundim të procedurës, sipas kallëzimit, është kërkuar hartimi dhe nënshkrimi i procesverbalit të zhvillimit të ankandit.
Komisioni ka refuzuar hartimin dhe nënshkrimin e tij, duke deklaruar se “ankandi mbyllet këtu, do të njoftoheni”. Në kallëzim ky veprim cilësohet si shkelje e detyrimeve procedurale dhe tentativë për të mos dokumentuar kundërshtimet e paraqitura. Në kallëzim kërkohet: Regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal; Sekuestrimi i regjistrit të protokollit; Sekuestrimi i zarfeve fizike të ofertave; Sekuestrimi i dokumentacionit të subjektit të shpallur fitues; Sekuestrimi i procesverbaleve të komisionit; Sekuestrimi i pamjeve filmike të sigurisë së institucionit; Ekspertim teknik i zarfit për të verifikuar ndërhyrjen fizike; Marrja në pyetje e punonjëses së protokollit dhe anëtarëve të komisionit; Verifikimi i ligjshmërisë së dokumentacionit të subjektit të kualifikuar.
Në kallëzim theksohet se sjelljet e përshkruara nuk përbëjnë vetëm parregullsi administrative, por paraqesin elementë të qartë të veprave penale që cenojnë integritetin e procedurave publike dhe interesin publik, veçanërisht duke pasur parasysh se objekti i ankandit lidhet me pasuri shtetërore me vlerë të konsiderueshme ekonomike.
