Libri-Album “51 piktorë shqiptarë”  është një përmbledhje veprash dhe faktesh, është një botim shumë serioz dhe i kushtueshëm. Botimi ka formën e një historie arti dhe studiuesja Suzana Varvarica Kuka dhe koleksionisti Shehaj e panë të përshtatshme që libri të ketë dy tituj, të cilët lidhen e funksionojnë për njëri-tjetrin. Titulli i parë është “51piktorë shqiptarë” dhe i përket një qasje estetike, ndërsa titulli i dytë është “Koleksioni Shehaj, në historinë e Pikturës shqiptare”, që përcakton përmbajtjen librit. Studiuesja Suzana Varvarica ka punuar 6 vite për këtë album, ku ka përmbledhur 51 emra të njohur të artit pamor, nga Idromeno, Kaceli, Kodra deri te autorët bashkëkohorë si Edi Hila apo Gazmend Leka. “Libri është i ndarë në pesë kapituj, por në 4 periudha, sepse në mesin e tyre janë veçuar tre piktorë Ibrahim Kodra, Lin Delija dhe Lekë Tasi. Libri ka një ndërtim kronologjik si në hapësirat e diskutimit mbi periudhat ashtu dhe të vendosjes së piktorëve në faqet e tij. Libri hapet me periudhën e parë që mban titullin: “Arti në Shqipërinë feudale në kapërcyell të shekull it XX”, periudhë që përfaqësohet nga një vepër e Kolë Idromenos e vitit 1890 dhe një e Vangjush Mios. Periudha e dytë titullohet: “Piktura, veprimtari drejt Perëndimit”, ku përfshihen piktura të artistëve që studiuan në shkollat kryesisht të Perëndimit, por edhe Lindjes. Dhe këtë e kanë përcaktuar moshat e piktorëve. Ndërsa kreu tretë i përket tre artistëve të lartpërmendur nën titullin: “Tre artistë figurativë të ndryshëm në të njëjtën kohë: rebeli,ekspresivi dhe konceptuali”. Periudha e tretë vjen me titullin: “Vitet 60-90, realizmi në art bëhet pjesë e socializmit në politikë” dhe periudha e fundit apo ajo në vijim të jetës sonë është konceptuar nën titullin: “Piktura, përpjekjet, vështirësitë dhe mbijetesa e saj në epokën e lirisë””, tregon studiuesja Suzana Varvarica Kuka. Ideja e parë e një libri të formës katalog ka qenë e koleksionistit Namik Shehaj, pronar i veprave në pikturë që ilustrohen në këtë libër. Më pas, në diskutimin e përbashkët koleksionist – studiues, u zhvillua ideja dhe arrit se ky libër nuk do ishte një katalog i thjeshtë informacioni, por një libër në formën e një historie arti, ku do t`i jepej një vend periudhës, më pas një CV në anglisht dhe në shqip e piktorit. Një mendim estetiko-historik i studiueses ndaj krijimtarisë në përgjithësi të piktorit e në fund janë renditur veprat e piktorit, të cilat shoqërohen me një rrëfim tregues të saj. Studiuesja ka hulumtuar mbi thëniet e shumë artistëve apo personaliteteve të ndryshëm ndërkombëtarë, ku janë përzgjedhur 51 të tilla e janë vendosur në krye të artikullit të çdo piktori. Po kështu hulumtim i njëjtë është bërë edhe mbi mendimet e ndryshme të shkruara e të mbledhura të artistëve, studiuesve, historianë shqiptarë për artistët që përfaqësohen në libër. Këto thënie janë tre për secilin piktor e që do të thotë janë 153 të tilla.

Jeta dhe faktet historike

Ky botim vjen për një publik shumë të gjerë, pasi pikturat, jeta dhe faktet historike që përmban libri i përkasin të gjithëve, madje çdo kujt që dëshiron të nxë përmes pikturës. “Jam mbështetur në datën e lindjes së piktorëve, duke i rënditur nga më të hershmit deri në piktorin më të ri. Gjithsesi kur lexon dhe shfleton librin do të kuptojë gjithkush se për disa piktorë koleksionisti ka një tërheqje më të madhe dhe kjo duket nga sasia e pikturave që kanë në libër Sali Shijaku, Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Zef Shoshi, Mustafa Arapi, Adrian Cene, Alush Shima, Aleksandër Filipi, Vilson Kilica, Ismail Lulani. Kjo nuk do të thotë se edhe shumë piktorë me një vepër nuk janë të dashur për koleksionistin, por qenia e një, dy apo tre pikturave për piktorin, e përcaktojnë shumë kushte objektive dhe subjektive. Në libër ka dhe vepra shumë të dashura për koleksionistin siç janë duart e nënës së tij të pikturuara nga Zef Shoshi”, tregon studiuesja Suzana Varvarica Kuka. Para se të bëhej promovimi ky botim iu dhurua disa piktorëve, të cilat janë ndjerë të befasuar kur kanë parë veprën e tyre në këtë botim, që vjen me titullin “51 piktorët shqiptarë”.

Nga Julia Vrapi