… .Është pikërisht juridiciteti kushtetues që e përcakton pozitën e kryeministrit si një pozitë jo vetëm për ata që e kanë votuar, por dhe për ata që nuk e kanë votuar. Në këtë pikë duhet reflektuar shumë qartësisht nga kryeministri.

-Cila është përgjegjësia e mazhorancës në këtë pikë?

-Përgjegjësia është në radhë të parë e Kryeministrit Rama. Për fat të keq deputetët e PS-së në Kuvend nuk e kanë as simbolizmin dhe as autoritetin publik për të qenë të mëveçëm, kështu që thënia se “të tjerët janë klonime të Kryeministrit” ka një konatacion të vërtetë. Mazhoranca, padyshim që duhet të ketë parasysh se opozita nuk është armiku i saj. Nëse përdorim në ligjërim vetëm termat anatemues, nuk do të ketë kurrë dialog. Po ç’është politika? Politika është shpikur si dialog. Politika është sublimim i dialogut. Në këtë kuptim shumica parlamentare nuk e ka monopolin e gjithçkaje dhe se pakica parlamentare duhet trajtuar në mënyrë të barabartë, pa asnjë mbivënie apo koncept pezhorativ.

Në Shqipëri të dy partitë e mëdha PS dhe PD (LSI është e treta midis aleancave herë me PS herë me PD) kanë qenë dhe në opozitë por dhe në pushtet. Asnjëherë nuk duhet menduar se kundërshtari yt politik nuk ka të drejtë, jo për gjithçka por për shumë gjëra, për arsye të procesit dialektit të jetës, për arsye parlamentarizmit të pashmangshëm.

E dinë politikanët shqiptarë këtë gjë?

A kanë përgjegjësinë dhe vetëdijen historike që nëse një krah i politikës është keq dhe tjetri është mirë, sipas klasifikimeve të propagandës përkatëse, tërë klasa politike nuk është aspak në rregull dhe nuk përfaqëson një standard të lartë të qytetërimit politik.

Nuk besoj se klasa politike e sotme do të mbijetojë gjatë.

Protesta e studentëve, të cilët refuzuan haptazi edhe partinë qeveritare por dhe partitë opozitare është sinjali se estabilishmenti politik i sotëm nuk e ka shumë të gjatë. Një proces i tillë i ndërrimit të estabilishmentit politik ka ndodhur në disa vende Europiane.

Si gjithmonë me shumë vonesë do të ndodhë një ditë dhe në Shqipëri. Interesante është të vësh në dukje, apo në spikamë se për ndryshimet e kobshme kushtetuese të vitit 2008, që u jep të drejtën prej monarku kryetarëve të partive të mëdha për të formuluar listat e kandidatëve për deputetë, duke shkatërruar përfundimisht karakterin juridik të votimit të lirë dhe të fshehtë, nuk kontestohet në krizën e sotme dhe as nuk përmendet si një kërkesë ndoshta absolute e opozitës ndaj pozitës, për të rikthyer ligjshmërinë kushtetuese të zgjedhjeve të vërteta të lira duke i hapur kështu rrugën për të mirën e Shqipërisë të krijimit të partive të reja dhe të politikanëve të rinj. Tashmë është provuar se dështimi i estabilishmentit aktual politik, të 28 vjetëve, lidhet dhe me Vettingun i cili nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të ndikojë në pastrimin e politikës dhe në krijimin e një kuptimshmwrie të re të një klase më të ndërgjegjshme politike. Unë nuk e di se si do të ndodhë një gjë e tillë, por e di se ky është një katharsis i historisë.

Moikom Zeqo

-Si mund të zgjidhet kriza?

-Pa qenë profet dhe pa përdorur frazat sibiline them se edhe kjo krizë, me shumë vështirësi mundet që të kapërcehet vetëm nga stimulimi dhe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar.

Por në vetvete asnjë krizë nuk kapërcen kronologjitë e saj.

Asnjë krizë nuk mund të formësojë në mënyrë të re një përmbajtje të vjetër.

Asnjë krizë nuk mund të arrijë rezultate pozitive nëse nuk zhduket origjina e saj e negativitetit shoqëror.

Intervista vijon

Gazeta Panorama 23 shkurt 2019.