Ka mall për identitetin e Tiranës së vjetër, identitetin historik të saj dhe dëshiron ta shoh atë në tablotë e kolegëve, siç ndodh me Parisin që shfaqet në një pafundësi veprash arti. “Por piktorët tanë s’e shohin të gjithë me dashuri Tiranën, thotë piktori Lekë Tasi, i cili edhe pse druhet të flasë para ekspozitës për motivet e saj, i kuptohet qartë kontestimi për shkatërrimin e arkitekturës së Tiranës. Pastaj edhe vetë titulli i kësaj ekspozite nuk do koment…

“Satirë në Sheshin Skënderbej” titullohet ekspozita e Lekë Tasit, që do të hapet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe do të qëndrojë deri më 8 Korrik 2015. Ekspozita e kuruar nga Suzana Kuka prezanton rreth 45 punime të realizuara pas viteve 2000, në teknikat vaj, teknikë e përzier dhe vizatime.

Kuka thotë se “Lekë Tasi vlerësohet si një piktor tradicional me kah drejt artit modern. Kjo është një arsye më shumë që punimet e tij, të prezantohen e të njihen më gjerësisht nga mjedisi artistik dhe intelektual shqiptar. Në këtë mjedis Lek Tasi shquhet si një zë i ndryshëm e modern në botën e pikturës tradicionale shqiptare dhe për këtë ai duhet të zërë vendin që i takon në historinë e artit shqiptar.” Deri në vitin 1975 piktori Lekë Tasi ekspozoi vetëm disa punë, edhe pse kishte një krijimtari shumë të pasur.

Pas viteve 1990, tashmë si profesionist ai i’u drejtua ekspresionizmit dhe disa zhvillimeve të artit modern të shekullit XX. Siç thotë edhe në intervistën për “Shqiptarja.com” ai pa me vëmendje, me seriozitet dhe imtësi prurjet surreale, naiviste dhe të abstraguara që i gjente para viteve ‘70 edhe në Bibliotekën Kombëtare.

Për piktorin Lekë Tasi, janë hapur dyert e Galerisë Kombëtare vetëm pas viteve ‘90. Ekspozita e kësaj here do të shoqërohet me një katalog ku përfshihen rreth 60 vepra në teknikat vaj, të përzier, vizatim, grafikë, akuarele dhe kolazh.

Zoti Tasi, çdo të thotë titulli i ekpozitës suaj, “Satirë në Sheshin Skënderbej”?
Nuk mund të flas para ekspoiztës për motivet. Unë jam një piktor tërë jetën që kur kam filluar të pikturojë, që i ri kam frekuentuar dhe kafenetë e Pazarit të Vjetër, shëtpitë karateristike, tempujt si xhami e teqe dhe kam vizatime e akuarele të asaj kohe. Jam i lidhur me Tiranën. Jam habitur sesi nuk është masive kjo dashuri për Tiranën, se po të vëresh, Parisi është vendi i pikturës dhe piktorët edhe ata të Parisit e të gjithë botës, kur kanë jetuar aty e kanë trajtuar duke e lënë të paharrueshëm në piktura këtë qytet europian. Unë pikturoj dashurinë time për Tiranën.

Linjën e Dajtit e di përmendësh dhe është gjithmonë prezent në pikturën time. Madje edhe Pallatin e Kulturës që e kam urryer në filim, se nuk e pëlqeja tani po e bëj pjesë të pikturës, ashti si Pazarin e Vjetër e gjithë resurset e Tiranës kam nisur t’i pikturoj. Unë i shoh ato si resurse të mrekullueshme, që po të ruheshin të restuaruara në mënyrën origjnale, do të kishte një vlerë të jashtëzakonshme për turistët e Europës, të cilët do të gjenin një kënd të qyetit të vjetër, ose më saktë të qytetit historik, si e ka këtë kënd çdo vend i Europës.

Pse e ke urryer Pallatin e Kulturës?
E kam urryer kur u ndërtua, sepse prishi taman Pazarin. U fut në mes shumë keq duke i prishur arkitekturën. Pazari duhej të ruhej si një analoge ose simetrike me anën tjetër lindore të Bashkisë, me atë kënd ku kemi një Tiranë neoklasike që do ta plotësonte Sheshin Skënderbej. Banka ishte një harmoni e qëndrueshme dhe kishte vetinë që ishte historike, dhe parë kështu ne do të trashëgonin objektet që ishin në vitet ‘30 bashkë me historinë e Tiranës. Kjo qendër duhej të mbetej si një ndarëse e “rrezeve” arkitekturore të gjetura mirë si Rruga e Durrësit, e Kavajës, bulevardet, etj,. Tirana si një kryeqytet unicenter duhej ruajtur e duhet punuar ta ruajmë me sa mundim.

Sa vite keni që jetoni në Tiranë? 
Që nga mosha 12 vjeç. Më parë kam ardhur nga Përmeti dhe më përpara kam qëndruar në Greqi sepse babai ishte refugjat politik antizogist.

Në internim për cilën arsye?
Për arsye të babait, të xhaxhait, të dajës, jo për arsye të pikturës. Kam qenë i fshehtë në krijimtari dhe më ka ndihmuar Zoti, se shokët kur m’i panë më ruajtën.

Nga: Shqiptarja.com