
Përurohet në Kalabri, shtatorja e kryepriftit arbëresh Antonio Belushi
16 Shtator 2025
Prifti arbëresh Antonio Belushi (Antonio Bellusci) është nderuar në 91-vjetorin e lindjes përmes një shtatoreje madhështore të vendosur në zemër të Frasnitës, në Kalabri.
Shtatorja e At Antonio Belushit u realizua me mjeshtëri nga skulptori i njohur Gëzim Muriqi dhe u vendos në Frasnita – siç e emërtojnë vendasit Frascineto-n – ditën e djeshme.
Vendosja e shtatores u parapri nga një larmi aktivitetesh të mbështetura nga komuna e Frasnitës në datat 13-14 shtator. Në këtë larmi aktivitetesh, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët veçoi prezantimin e librit “Epopeja e Arbërisë me vjershë arbërore”, me autor Antonio Belushin, botim i komunës së Frasnitës nën kujdesin e veçantë të Caterina Adduci-t.
At Antonio Belushi tërë jetën ia kushtoi popullit, kulturës, identitetit dhe ndërlidhjes vëllazërore të arbëreshëve me vendlindjen dhe me mbarë kombin arbënor.
Ai ishte meshtar i ritit kishtar bizantin që i përket Eparkisë arbëreshe të Lungro-s, në Kalabri, themeluar në vitin 1919 nga arbëreshët.
Ashtu si meshtarët e tjerë të ritit kishtar bizantin, Antonio Belushi ishte jo vetëm bari dhe prijës shpirtëror, por si gazetar e studiues kontribuoi edhe në njohjen e identitetit arbëresh, duke kultivuar zhvillimin kulturor të komuniteteve arbëreshe kudo shërbeu si famullitar.
At Belushi është autor i shumë studimeve gjuhësore dhe etnografike midis arbëreshëve, në Shqipëri e midis arvanitasve në Greqi. Ai ishte veçanërisht i interesuar për këngët e traditës gojore, veçanërisht për aspektet gjuhësore dhe letrare.
Deri në kalimin e tij në amshim, Antonio Belushi ka shërbyer me përkushtim si famullitar dhe si studiues në Frascineto (Cs), ku drejtoi edhe bibliotekën dhe muzeun etnografik me të njëjtin emër.