12 Shtator 2023

Të paktën 2200 njerëz janë vrarë nga përmbytjet shkatërruese në qytetin lindor të Libisë Derna, sipas agjencive dhe zyrtarëve ndërkombëtarë.

Sipas Mohammad al-Khabisi, drejtori i Spitalit Wahda, 1700 njerëz vdiqën në një nga rrethet e qytetit Derna dhe 500 në një qytet tjetër. Kryqi i Kuq ka frikë se numri përfundimtar i viktimave do të jetë shumë më i lartë pasi 7,000 banorë janë lënduar dhe më shumë se 10,000 janë të zhdukur.

Imazhet e shpërndara nga videot në mediat sociale janë dramatike pasi dhjetëra trupa janë shpërndarë në rrugët e qytetit, i cili u rrafshua nga shembja e dy digave. “Rrugët janë të mbushura me të vdekur”, thonë banorët e qytetit që i mbijetuan fatkeqësisë.

Nje agjensi tjeter duke ju referuar Kryqit të Kuq njofton:

Rreth 10 mijë njerëz mendohet të jenë zhdukur pas përmbytjeve të mëdha në Libi, ka thënë Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq (IFRC).

Një e katërta e qytetit lindor Derna u vërshua nga ujërat e përmbytjeve kur digat shpërthyen pas një stuhie, me më shumë se 1,000 trupa të gjetur deri më tani, raporton Sky News.

“Mund ta konfirmojmë nga burimet tona të pavarura të informacionit se numri i personave të zhdukur po arrin në 10 mijë deri më tani”, ka thënë kreu i IRFC-s në Libi, Tamer Ramadan.

“Numri i të vdekurve është i madh dhe mund të arrijë në mijëra”.