Përgjimet e Ndranghetas dhe skema e pastrimit të parave në ndërtim, Liperi: “Ujqërit” janë në Tiranë

28 Janar, 2021

Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës “Monitor” duke komentuar përgjimet që dolën nga antimafia italiane zbërtheu mbrëmjen e sotme në emisionin “As pro, as kundër” në ABC skemën e pastrimit të parave që po ndodh në Tiranë. Ajo tha se kompani me nga 20-30 mijë euro të ardhura po ndërtojnë pallate me vlera 5 milionë euro, por si? Për këtë, Liperi tha se nuk kemi nevojë të shkojmë në Itali për ta vërtetuar, pasi “ujqërit i kemi në mes të Tiranës”.

“Jam dakord me kryeministrin që tha pse merreni me thashetheme, se ne ujqërit i kemi në mes të Tiranës, dhe presim të vijnë gjurmët nga Italia nga Ndrangheta. Këtu kemi tre vjet që ka hyrë, po ndërtohet një skemë masive e pastrimit të parave. Nuk ka kompani që kanë kapacitet aq të lartë sa të ndërtojnë këto kulla. Të ardhurat janë rritur me zero, mjafton të dalësh në Tiranë, të shikosh bilancet e firmave, një në tre nga këto kompanitë që kanë të njëjtin arkitekt nuk e justifikojnë burimin e të ardhurave.

Kam gjetur kompani që kanë pasur 20-30 mijë euro të ardhura në vitin 2016, me 30 mijë euro sot nuk blen asnjë lloj apartamenti në Tiranë. Pse duhet të merremi me Ndrangheta, kur ne kemi tre vite që themi se këtu po pastrohen para? Prova është aty. Si ka mundësi që një kompani që ka vetëm 30 mijë euro të ardhura fillon dhe ndërton pallat që bën 5 mln euro, të dalë kryeministri ta shpjegojë. Kam parë bilancin e kompanisë, dhe nuk thotë asnjë asgjë. Nuk kemi nevojë të shkojmë te Ndrangheta kur kemi këtu faktin” tha ajo.

Më pas, Liperi shpjegoi me detaje atë që po ndodh pas 2017 me lejet e ndërtimit në Tiranë, kur numri i të ardhurave është përgjysmuar, ndërsa ndërtimet janë rritur. “Në 2005 ka pasur shumë leje, ka pasur një boom në ndërtim, pastaj nuk ka pasur, shiko se cfarë ka ndodhur nga 2017, ke një rekord për sipërfaqe banimi, ndoshta ka më pak leje, më shumë sipërfaqe, dmth janë dhënë kulla, përkundet logjikës ekonomike, pasi hyrjet e reja në Tiranë janë përgjysmuar, atëherë për kë po ndërrohet? Kërkesa reale ka rënë. Edhe kredia po bie, normalisht është një indicie, që firma nuk ka lekë, kredi nuk po merr, atëherë ku po i gjen paratë? Dhe ne nuk kemi nevojë të shkojmë te Ndrangheta, ku i kemi këtu faktet” tha ajo.

Nga; TPZ.al