‘Për turpin e botës, ne që jemi mu në mes të Evropës, na la jashtë’. – Rama sulmon ashpër BE-në dhe zbulon detaje nga takimet në Turqi

25 MARS 2021

Gjatë periudhës së pandemisë në vendin tonë janë shënuar mbi 5800 vdekje të shtuara, ndryshe nga mesatarja shumëvjeçare e Shqipërisë për numrin e vdekjeve në vit.

Lidhur me këtë, kreu i ekzekutivit, Edi Rama u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se qeveria nuk ka asnjë qëllim dhe asnjë të drejtë që të bëjë taktikë me shifrat. Rama u shpreh se viktimat që janë shënuar se kanë humbur jetën nga Covid, janë të lidhura me kartelat mjekësore.

Po ashtu, ai u shpreh se gjatë periudhës së pandemisë të gjitha shtetet kanë pasur një rritje të numrit të vdekjeve.Më tej, kryeministri sulmoi sërish Bashkimin Evropian, teksa tha se është turpi i botës që la Shqipërinë pa vaksina.

“Për turpin e botës, ne që jemi m’u në mes të Evropës, BE na la jashtë. Ata bëjnë një lock-down, marrin paratë, dhe prapë depresioni që është në shumë nga ato vende nuk është këtu. Ne jemi vendi i dytë që kemi siguruar deri më tani vaksinimin masiv. Ne kemi sot në territor 280 mijë doza në dispozicion. Ndërkohë, kemi të siguruara 2.1 milionë doza. 1 milion i kemi të siguruara nga Kina, kemi 500 mijë me Pfizer dhe Covax. Do sjellim 500 mijë vaksina kineze brenda 3-4 javëve të ardhshme. Po presim 106 mijë doza nga Bashkimi Evropian, nga një instrument i ri, që ishalla po realizohet. Ne jemi në kushtet kur brenda majit të kemi vaksinuar gjysmë milioni njerëz”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Rama zbuloi detaje nga vizita e djeshme në Turqi, teksa tha se kjo ishte temë diskutimi mbrëmjen e kaluar me zyrtarë dhe ekspertë turq.

“Mbrëmë kemi pasur një diskutim në Turqi, e cila ka vaksinuar deri më tani 15 milionë njerëz me vaksinën kineze. Turqia këtë javë ka një rritje të konsiderueshme të numrit të vdekjeve nga koronavirusi, kjo pasi ekspertët atje e shpjegonin se ka një ulje-ngritje pesëjavore. Gjermania pati një moment konfuzioni të madh, pasi filluan t’iu kërcejnë numrat në lock-downin e madh të festave të fundvitit”, tha kryeministri.

Gazeta Sot