Edi-Rama

Pas takimit me Blinken, Rama hedh në “gojën” e SPAK ministrat e korruptuar, paralajmëron emrat e zhytur në afera se do ndëshkohen

16 SHKURT 2022

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar dje një takim kokë më kokë me zv/Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Shefi i qeverisë ishte dje në SHBA në kuadër të pjesëmarrjes në Këshillin e Sigurisë në OKB dhe më pas pati një takim me Blinken. Takimi u zhvillua në Departamentin e Shtetit dhe zgjati rreth 45 minuta. Mediat u lejuan vetëm në fillim të takimit ku Blinken e përgëzoi Ramën për pritjen e afganëve dhe vlerësoi marrëdhënien mes dy vendeve. Ndërkohë më pas shefi i qeverisë dha një intervistë për “Zërin e Amerikës” ku tregoi disa detaje nga takimi. “Diskutuam lidhur me bashkëpunimin ne Këshillin e Sigurimit, lidhur me Rajonin, me ecurinë e Reformave në Shqipëri dhe në tërësi prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie përfshirë edhe temat që jemi bashkë në aleancën e NATO-s”, tha Rama..

Arrestimi i ministrave

Por në intervistë kryeministri u pyet edhe për aferën me inceneratorët dhe arrestimet që kanë nisur SPAK. Ai u pyet mbi zërat që qarkullojnë se mund të kemi ministra të tjerë në rrjetë dhe shefin qeverisë e bëri të qartë se kushdo që ka bërë zullume do të ndëshkohet, pavarësisht se është i majtë apo i djathtë. “Nuk jam i shqetësuar nëse bien ministra apo ish ministra në rrjetë sepse prandaj e bëmë reformës. Reforma nuk u bë për të të djathtë apo për të majtë, ndërkohë që përgjegjësia është individuale. Nëse ka njerëz që kanë ngjyer gishtin apo dorën në një proces, i cili është bërë për t’i shërbyer vendit apo komuniteteve për një Shqipëri më të pastër, sigurisht që ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar sepse e kanë bërë pas shpinës të një force qeverisëse që është për shqiptarët dhe jo për interesin e vet”, tha shefi i qeverisë. Gazeta prej disa ditësh e paralajmëroi se mund të kemi një tjetër arrestim të bujshëm dhe Rama dje dha sinjale se PS nuk do bëhet mburojë për askënd. “Prania e korrupsionit në sistemin tonë është e padiskutueshme, por lufta është padyshim që e ka sulmuar korrupsionin në mënyrën e duhur, nga një anë ne jemi angazhuar të udhëheqim reformën në drejtësi, të transformojë sistemin e shërbimeve dhe po të bëjmë një krahasim të thjeshtë. Lufta ndaj korrupsionit është shtet-ndërtimi, është modernizim. Unë pranova që korrupsioni është një sfidë, por ajo që dua të them është se të gjitha raportet unë i marr me rezervë, pasi nuk i marr ato si të mirëqenia 100 %”, tha ai më tej.

Inceneratorët

Sa i takon inceneratorëve Rama kundërshtoi pretendimet e PD, ndërsa kërkoi që t’i lihet hapësirë drejtësisë të veprojë. “Unë nuk futem te ata që mendoj kështu. Besoj se janë gjëra të ndara. Një proces që është kurorëzuar me vepra që janë në shërbim të vendit, komuniteteve, shëndetit dhe mjedisit. Paralelisht me të veprime të dyshuara individësh të caktuar që mbeten në suazën e përgjegjësisë individuale. Jemi në kushtet komode ku Prokuroria Speciale po heton. I takon atyre të evidentojnë faktet lidhur në hetim dhe prova. Nuk shoh shqetësim për të vërtetën. Përderisa kjo po hetohet e vërteta do të dalë deri në fund. Unë jam i vendimit që këto janë gjëra të rëndësishme për shëndetin dhe mjedisin. Do i verifikojë prokuroria”, tha ai.

Ndarja për reformën territorial

Shefi i qeverisë u pyet dhe për reformën territoriale, ku u dak qartë se kemi një ndarje PD-PS. Demokratët kërkojnë të shtohet numri i njësive vendore, por Rama kërkon të pakësohen. “Për mua duhet të ketë më pak njësi vendore. Do të diskutohen në komision, nga ana jonë do të vlejë për të ballafaquar argumenetat dhe për të nxjerrë konkluzion që i shërbejnë vendin. Unë jam gjithmonë me mendje të hapur. Ne mund të bëjmë ndryshim për Reformën Zgjedhore, por nuk të jep fitoren në tavolinë. Zgjedhjet fitohen në popull duke marrë votat e shqiptarëve”, tha ai.

NGA KLITI TOPALLI

Gazeta Sot