5 Korrik 2026

Një pyetje e drejtpërdrejtë e korrespondentit të njohur të BBC-së, Guy De Launey, duket se ka krijuar një moment tensioni të paprecedentë gjatë një interviste me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, De Launey ka ndarë me ndjekësit e tij reagimin e shefit të qeverisë shqiptare përballë pyetjeve që lidhen me korrupsionin dhe hetimet ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

“Sytë e Edi Ramës padyshim u zgurdulluan kur e pyeta se a duhet të jemi të shqetësuar për të. Dhe nuk po pyesja për shëndetin e kryeministrit shqiptar,” shkruan gazetari i BBC-së, duke lënë të kuptohet se reagimi fizik i Ramës fliste më shumë se fjalët.

​Përtej “Flamingove dhe Jared Kushner”

Në analizën e tij, De Launey ndalet te vala e protestave të natës që kanë përfshirë vendin. Ndonëse në media ndërkombëtare shpesh këto protesta janë pasqyruar nën kornizën e mbrojtjes së mjedisit – duke u fokusuar te projektet e investimeve si ai i dhëndrit të ish-presidentit Trump, Jared Kushner, dhe mbrojtjes së habitateve të flamingove – gazetari i BBC thekson se realiteti është shumë më i thellë dhe më kompleks.

Sipas tij, ajo që po ndodh në sheshet e Shqipërisë nuk lidhet vetëm me ekologjinë, por me një pakënaqësi të gjerë popullore ndaj qeverisjes. Siç shihet edhe në pankartat e protestuesve që shoqërojnë postimin e tij, mesazhet janë të qarta: “BE, ne nuk jemi këtu për të bërë ligjor shkatërrimin e natyrës, por për të shkatërruar korrupsionin moral të vendit tonë!”

Pyetja e nxehtë: Aleatët nën hetim, po Rama?

Momenti kulmor i intervistës, sipas korrespondentit, ka qenë pikërisht ngritja e pyetjes mbi përgjegjësinë politike dhe ligjore të vetë kryeministrit, në një kohë kur rrethi i tij i ngushtë po përballet me drejtësinë.

​”Nëse aleatët tuaj më të ngushtë politikë janë nën hetim nga prokurorët e anti-korrupsionit, a duhet të jemi të shqetësuar edhe për ju?” – ka qenë pyetja e De Launey që ka sjellë reagimin e habitur të Ramës.

​Kjo intervistë vjen në një moment delikat për politikën shqiptare, ku Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vënë në shënjestër disa figura të larta të mazhorancës, duke rritur presionin publik dhe ndërkombëtar mbi qeverinë.

Artikulli i plotë dhe përgjigjet e detajuara të Kryeministrit Rama janë publikuar në rrjetin e BBC News, ku hidhet dritë mbi dinamikat e reja politike dhe sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian dhe luftës ndaj korrupsionit.

Nga Migena Aleksi