Pas 11 ditësh zjarre që dogjën mijëra hektarë, konsultim për turbinat eolike në Pukë – rastësi apo pikëpyetje që kërkojnë përgjigje?

Pas 11 ditësh zjarre që dogjën mijëra hektarë, konsultim për turbinat eolike në Pukë
1 Shtator 2026
Pukë – Pas 11 ditësh zjarre në zonën e Gjegjanit, ku u dogjën mijëra hektarë pyje, Bashkia Pukë ka njoftuar zhvillimin e konsultimeve publike për një projekt që parashikon përdorimin e fondit pyjor publik për instalimin e turbinave eolike, pra struktura të mëdha me helika që shfrytëzojnë forcën e erës për prodhimin e energjisë elektrike.
Konsultimet do të zhvillohen në Qerret, Pukë-Kodër Hani, Gjegjan-Shkozë dhe Gjegjan-Gojan i Madh, ndërsa projekti përfshin ekonomitë pyjore “Tërbun”, “Livadh-Hamëz”, “Kuzhnen”, “Gojan-Shkozë” dhe “Gomsiqe”.
Por njoftimi vjen në një moment që ngre pikëpyetje, pasi zona sapo është përballur me një prej situatave më të rënda të zjarreve të viteve të fundit.

Pas 11 ditësh zjarre që dogjën mijëra hektarë, konsultim për turbinat eolike në Pukë – rastësi apo pikëpyetje që kërkojnë përgjigje?
A është thjesht një përkim në kohë, apo duhet hetuar nëse zjarret mund të kenë pasur ndonjë lidhje me interesat për këto sipërfaqe? Kjo mbetet një pyetje që mund të marrë përgjigje vetëm përmes verifikimeve dhe hetimeve të institucioneve kompetente.
Dokumentet e Bashkisë tregojnë se konsultime për përdorimin e fondit pyjor për energji të rinovueshme nga era kanë nisur më herët. Megjithatë, në kushtet kur flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore, çdo përkim mes zonave të prekura nga zjarret dhe atyre të përfshira në projekt meriton transparencë dhe sqarim publik.
Nga: Veriu Sot.
