19 Shtator 2026

Tirana është bërë këto ditë qendra e një takimi të rëndësishëm të drejtuesve dhe ekspertëve të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa.

Nga 19 deri më 23 shtator, në kryeqytet zhvillohet takimi i 42-të i kapitullit europian të FBI National Academy Associates (FBINAA).

Në program janë përfshirë tema që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe luftën kundër krimit: krimi i organizuar, terrorizmi, ekstremizmi online, grupi “764”, dronët, krimi kibernetik, paratë e krimit, sekuestrimi i pasurive, narkotikët dhe ekstradimet.

Në aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe amerikane. Në program janë drejtues të Policisë së Shtetit, SPAK-ut, BKH-së dhe Prokurorisë, ndërsa nga SHBA-ja është parashikuar pjesëmarrja e Spencer Horn, Deputy Assistant Director në FBI Headquarters, si dhe e atasheut të FBI-së në Sofje, Brendan Collins.

Krimi i organizuar

Takimi nis me diskutime për luftën kundër krimit të organizuar dhe përvojën e Budapest Organized Crime Task Force, që shënon 25 vite bashkëpunimi.

Në program është edhe modeli amerikan i Joint Terrorism Task Force, që bashkon agjenci të ndryshme për hetimin e kërcënimeve terroriste.

Nga pala shqiptare do të diskutohet edhe për krimet në kufi dhe migracionin e paligjshëm.

Çfarë është “764”?

Një nga temat më të veçanta është grupimi online “764”, i lidhur nga autoritetet amerikane me forma të ekstremizmit të dhunshëm dhe aktivitete kriminale në internet.

Tema “Nihilistic Violent Extremism and 764” prezantohet nga një zyrtar i FBI-së nga Berlini.

Më pas diskutohet edhe për format e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe përvojën e Shqipërisë në përballimin e tyre.

FBI SJELL EKSPERTËT PËR DRONËT

Në konferencë ka edhe një pjesë të posaçme për dronët. Ekspertë të FBI Laboratory Division do të prezantojnë teknologjitë që përdoren për ekzaminimin dhe analizimin e dronëve.

Pas këtij sesioni, diskutimet kalojnë te krimi kibernetik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kundër grupeve kriminale.

Ku shkojnë paratë e krimit?

Një tjetër temë kryesore është ndjekja e parave të krimit.

Në konferencë diskutohet roli i inteligjencës financiare në luftën kundër krimit të organizuar.

Në program është edhe tema “From Confiscation to Public Good”, që lidhet me mënyrën se si pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të përdoren për qëllime publike.

Bkh sjell një hetim për narkotikët

Në program është përfshirë edhe një rast konkret i hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në fushën e narkotikëve.

Rasti do të prezantohet nga hetuesi i BKH-së, Eduart Kaloshi.

Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për diskutime teorike. Në konferencë shkëmbehen edhe përvoja nga hetime konkrete.

Ekstradimet

Në ditën e fundit, fokusi kalon te ekstradimet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Do të diskutohen procedurat shqiptare, problemet që hasen në praktikë dhe mënyrat e bashkëpunimit me vendet e tjera.