Pamje turpëruese, kreut 95-vjeçar të Veteranëve të LANÇ i ndërrojnë bravën, e lënë jashtë

28 Janar 2026
Një pamje që turpëron Organizatën e Veteranëve të Luftës është dërguar në redaksinë e gazetës DITA. Në video shfaqet kreu 95-vjeçar i saj Hulusi Hako, në derën e zyrës së institucionit që përfaqëson.
I pafuqishëm të hyjë brenda sepse bravën ia kanë ndërruar.
Prej kohësh, Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ po vuan nga përçarje të brendshme dhe konflikte gjyqësore për drejtimin, legjitimitetin dhe administrimin
Por pavarësisht se kush ka të drejtë në këtë përplasje, mënyra si trajtohet një figurë 95-vjeçare, përfaqësuese e brezit që mbajti mbi shpinë një luftë botërore, është e papranueshme.
Kjo organzatë që mban titullin e lartë Nderi i Kombit duhet të mbajë gjallë kujtesën e të rënëve të Luftës së Dytë Botërore dhe respektin për ata që i mbijetuan asaj. Një veteran 95-vjeçar përballë një dere të mbyllur është një imazh i dhimbshëm i mllefit dhe banalizimit të historisë.
Publiku ka të drejtë të dijë çfarë po ndodh realisht brenda kësaj organizate dhe institucionet përkatëse, veçanërisht PS dhe Ministria e Mbrojtjes kanë detyrimin të reagojnë.
Pas incidentit dhe një denoncimi në Polici, Hako ka dhënë një deklaratë për media ku thuhet:
Vëllezër dhe motra të OVG-së, dashamirës. Me dhimbje dhe habi e përjetova ditën e sotme, e hënë, 26 janar. Shkoj në mëngjes në zyrë, për punët e mia, dhe kisha lënë takime me dy profesorë. Brava e derës ishte ndërruar.
Bashkëpunëtorët e mi, Veli Myftari dhe Ilir Bello, me detyrat dhe kompetencat përkatëse, kishin gjetur kohën ta realizonin këtë veprim mafioz, për të konkretizuar vendimin e një farë kryesie, e cila është mbledhur në ilegalitet, me njerëz të selektuar, për të më pezulluar mua si kryetar.
Mbeta në korridor, ndërsa ata, të qetë, kanë shkuar në Përmet me autobusin e dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, gjë për të cilën as nuk jam lajmëruar.

Për situatën kanë reaguar edhe një grup profesorësh të njohur. Ata i janë drejtuar zv.ministrit të Mbrojtjes, Enkel Joti:
Zoti Enkel,
Jemi të detyruar t’ju vëmë në dijeni për një situatë skandalesh të rënda që po ndodhin në Organizatën Kombëtare të Veteranëve, e cila, veç të tjerave, ka edhe varësi financiare nga dikasteri juaj. Thelbi i skandalit lidhet me shpërdorime dhe vjedhje financiare që kanë ndodhur aty me fondet publike, si edhe me luftën midis klaneve për kontrollin e organizatës.
Një grup, apo klan, me në krye Veli Myftarin, Servet Agollin etj., kanë izoluar dhe përzënë nga zyrat kryetarin aktual të organizatës, prof. Hulusi Hako, i cili po përpiqet t’i ndalojë këto veprime. Megjithatë, në mënyrë skandaloze, sot u përdor edhe forcë fizike ndaj një veterani 95-vjeçar, të cilit nuk iu lejua të futej në zyrë. Për këtë ngjarje u njoftua edhe Policia.
Ju lutemi që, me kompetencat që ju jep ligji, të ndërhyni urgjentisht për të ushtruar kontroll financiar, por edhe për të normalizuar situatën në këtë organizatë.
Me respekt:
Petro Koci, Spartak Braho, Prof. Ksenofon Krisafi, Pellumb Xhufi, Fatos Klosi, Sali Onuzi, Fatos Tarifa, Marenglen Kasmi etj.
Nga: Gazeta Sot
