29 Mars 2023

Shkencëtarët nga Universiteti Durham thanë se vrima e zezë gjigante është një nga më të mëdhatë e gjetura ndonjëherë.

Ekipi i përshkroi gjetjet e tij, të botuara në revistën Monthly Notices of the Royal Astronomical Society, si “jashtëzakonisht emocionuese”.

“Kjo vrimë e zezë e veçantë, e cila është afërsisht 30 miliardë herë më e madhe se masa e Diellit tonë, është një nga më të mëdhatë e zbuluara ndonjëherë, kështu që është një zbulim jashtëzakonisht emocionues”, tha autori kryesor Dr James Nightingale, i Departamentit të Fizikës në Universitetin Durham.

Vrimat e zeza ultramasive janë objektet më masive në univers, me masën midis 10 miliardë dhe 40 miliardë herë më shumë se masa e Diellit.

Astronomët besojnë se ato mund të gjenden në qendër të të gjitha galaktikave të mëdha si Rruga e Qumështit.

Vrimat e zeza ultramasive janë të rralla dhe të pakapshme dhe origjina e tyre është e paqartë. Disa besojnë se ato u formuan nga bashkimi ekstrem i galaktikave masive miliarda vjet më parë, kur universi ishte ende i ri.

Studiuesit përdorën një fenomen të njohur si lente gravitacionale, ku morën ndihmë nga një galaktikë e afërt duke e kthyer atë në një xham zmadhues gjigant.

Kjo zbuloi praninë e vrimës së zezë ultramasive, një rajon ku tërheqja e gravitetit është aq e fuqishme sa që as drita nuk mund të shpëtojë.

Shkencëtarët përdorën simulime superkompjuterike në Universitetin Durham dhe imazhe të kapura nga Teleskopi Hapësinor Hubble për të konfirmuar madhësinë e vrimës së zezë supermasive. Ata thanë se kjo është vrima e parë e zezë e gjetur duke përdorur lente gravitacionale.

“Shumica e vrimave të zeza më të mëdha për të cilat ne dimë janë në një gjendje aktive, ku materia e tërhequr afër vrimës së zezë nxehet dhe lëshon energji në formën e dritës, rrezeve X dhe rrezatimeve të tjera. Megjithatë, lente gravitacionale bën të mundur studimin e vrimave të zeza joaktive, diçka që aktualisht nuk është e mundur në galaktikat e largëta,” tha Dr Nightingale.

Kjo qasje mund të na lejojë të zbulojmë shumë më tepër vrima të zeza përtej universit tonë lokal dhe të zbulojmë se si këto objekte ekzotike evoluuan më tej në kohën kozmike.

Studiuesit thanë se puna e tyre hap “mundësinë joshëse” që astronomët të mund të zbulojnë më shumë vrima të zeza ultramasive sesa mendohej më parë.

Gazeta Sot