Një udhëtim me pikturat prehistorike në trojet ilire nga Lepenica në Tren

Veprat e artit shkëmbor të zbuluara në territorin antik të Ilirisë së Jugut, i takojnë një zone të pasur e të veçantë prehistorike me vlera të spikatura për tërë gadishullin Ballkanik. Ato janë krijime të një stadi të caktuar në kufirin kohor nga mijëvjeçari i katërt në mijëvjeçarin e parë para erës së re.

Nga Myzafer Korkuti.

PIKTURA E LEPENICËS

Kjo pikturë është bërë në një stre­hë shpelle, e cila ndodhet në shpatin verilindor të malit të Lepenicës në rrethin e Vlorës, në një lartësi rreth 800 m. Mbi nivelin e detit mund të zotërosh me shikim tërë luginën e mesme të lumit të Shushicës.

Ajo është realizuar në tavanin e strehës së shkëmbit, e lartë 3,5 metra, mbi një sipërfaqe të sheshtë të ndarë në dy plane. Në planin përballë (vertikal) janë vizatuar katër figura antopomorfe, të cilat janë realizuar grafikisht shumë mirë. Format e figurave njerëzore janë të bëra me vija të trasha dhe ndrysho­jnë nga njëra-tjetra nga pozicioni i trupit e mënyra e paraqitjes grafike të gjymtyrëve. Trupi është paraqitur me një vijë të trashë e të shkurtër. Edhe qafa me kokën janë dhënë si një vazhdim i linjës së trupit. Në hapësirën që krijohet midis katër gjymtyrëve është vizatuar nga një pikë. Gjatësia e figurave është 15-18 cm. Në planin horizontal (tavanin e strehës) janë vizatuar 15 figura an­tropomorfe me të njëjtën paraqitje grafike, të shpërndara pa ndonjë rregull, në të gjithë sipërfaqen prej 2,4m x 1,4m. Në katër anët e figu­rave antropomorfe janë vizatuar 9 figura të çrregullta gjeometrike, të ndara secila në kuadrate të vegjël me një pike në mes të çdo ndar­jeje.

Të gjitha figurat janë bërë me vija të trashë, me bojë minerale në ngjyrë kafe të çelët, të ruajtura mirë. Në pikëpamje të paraqitjes grafike figurat antropomorfe të Lepenicës kanë ngjashmëri të madhe me figurat antropomorfe të pikturës shkëmbore të Zhlijebit (në Bosn­jën Lindore), si dhe me ato të artit shkëmbor perëndimor, e para së gjithash me ato të Valcamonica-s në krahinën e Brescia-s (Itali). Në pikëpamje të paraqitjes grafike dhe të vënies në qendër të përmbajtjes të figurave antropomorfe, piktura e Lepenicës pasqyron stadin e zhvil­limit shoqëror të kohës, shprehjen e koncepteve të krijuesve të saj. Në të gjitha tiparet që e karakterizojnë, ajo bën pjesë në grupin e pikturave shkëmbore post paleolitike. Në për­pjekje për një përcaktim kohor më të saktë, vlen për t‘u vënë në dukje se në krahun e djathtë të lumit të Shushicës, ballë për ballë pikturës së Lepenicës, në distancë ajrore rreth 6 km, ndodhet vendbanimi shpellor i Velçës, ku ka lulëzuar një kulturë e neolitit të vonë, që karakterizohet nga një qeramikë e pikturuar e cilësisë së lartë.

Me shumë gjasa piktura e Lepenicës është një krijim i banorëve të kësaj lugine gjatë mi­jëvjeçarit të katërt e të tretë p.e.re.

Gazeta Shqiptarja.com.