13 Dhjetor 2025

Qindra shpendë kanë ngordhur brenda një kohe të shkurtër në fshatin Kraps në Fier, duke krijuar një situatë alarmante. Edhe pse ende nuk është konfirmuar, dyshohet se ato janë prekur nga gripi i shpendëve, ndërsa banorët akuzojnë autoritetet se nuk kanë shkuar për të verifikuar gjendjen. Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është mënyra se si po trajtohen shpendët e ngordhur, pasi një pjesë e tyre po groposen, por një numër i konsiderueshëm po hidhen në lumin Gjanicë, duke krijuar një katastrofë të vërtetë mjedisore

Një situatë alarmante është regjistruar në fshatin Krapës, në njësinë administrative Portëz, bashkia Fier, ku qindra shpendë kanë ngordhur brenda një kohe të shkurtër, duke ngritur dyshime serioze për përhapjen e gripit të shpendëve. Sipas banorëve të zonës, gjithcka ka ndodhur papritur, ndërsa shpendët kanë shfaqur simptoma të rënda përpara se të ngordhnin. Frika për një sëmundje infektive është e madhe, jo vetëm për fermat përreth, por edhe për shëndetin publik.

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është mënyra se si po trajtohen shpendët e ngordhur. Banorët raportojnë se një pjesë e tyre po groposen, por një numër i konsiderueshëm po hidhen në lumin Gjanicë, duke krijuar një katastrofë të vërtetë mjedisore, pasi ky lum përshkon zona të tëra të banuara dhe derdhet në det, duke rrezikuar përhapjen e ndotjes në një shkallë shumë më të gjerë. Banorët shprehen të revoltuar dhe të braktisur nga institucionet, pasi sipas tyre, deri më tani asnjë përfaqësues i autoriteteve të Bujqësisë apo shërbimeve veterinare nuk ka shkuar në terren për të verifikuar gjendjen.

Situata kërkon ndërhyrje urgjente të institucioneve përgjegjëse, për të konstatuar shkakun e ngordhjes, për të parandaluar përhapjen e mundshme të sëmundjeve dhe për të shmangur një ndotje të pakthyeshme mjedisore