12 Tetor 2026

Këtë fundjavë në Turqi, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u ngjit vetë në lokomotivë për të inauguruar linjën e re hekurudhore Çerkezköy-Kapıkule. Një vepër gjigante prej 153 kilometrash, e pajisur me 31 ura dhe 8 tunele, që lidh Stambollin me Bullgarinë. E gjithë kjo kryevepër infrastrukturore u ndërtua me një grant prej 275 milionë eurosh nga Bashkimi Evropain (përmes fondit IPA II).

Me një llogari të thjeshtë matematike, një kilometër hekurudhë me male, tunele e ura në Turqi kushtoi fiks 1.8 milionë euro. Por le t’i kthjemë  sytë nga Tirana dhe prapaskenat e Ministrisë së Infrastrukturës. Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës është gjithsej 39 kilometra, një shtrirje tërësisht fushore, pa asnjë tunel e pa sfida komplekse inxhinierike.

Por fatura e saj financiare është parashikuar të arrijë në shifrën marramendëse prej 165.27 milionë euro. Nën drejtimin e ish-Ministres së Energjisë dhe Transporteve e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për një sërë aferash korruptive, kostoja për kilometër ka arritur në 4.2 milionë euro.

“Ushtari” i Ballukut dhe skema e fryrjes së faturave

Prapa kësaj fature stratosferike që po paguajnë taksapaguesit shqiptarë qëndron Ergys Verdho, kreu i Hekurudhës Shqiptare dhe i njohur në rrethet politike e mediatike si “ushtari” besnik i zonjë Balluku “Lubisë” së pushtetit. Ndërsa punimet e nisura që në vitin 2021 zvarriten pa fund, fatura financiare fryhet në mënyrë të pashpjegueshme.

Si ka mundësi që një kilometër hekurudhë në fushën e Durrësit e Rinasit të kushtojë mbi dy herë e gjysmë më shumë sesa kilometri i një super-projekti ndërkufitar turk me 8 tunele e 31 ura? Përgjigjja nuk kërkohet te çmimi i çelikut apo i çimentos, por te prapaskenat e tenderave dhe skemat e abuzimit. Projekti i linjës 39-kilometërshe po shndërrohet në një nga dosjet më skandaloze të infrastrukturës, ku çmimet dyfishohen e katërfishohen sipas orekseve të drejtuesve.

Drejtësia përballë grabitjes së hapur

Megjithatë krahasimi me modelin turk nuk është thjesht një statistikë shifrash, por një akt-akuzë e drejtpërdrejtë. Ndërsa fqinjët ndërtojnë vepra moderne me grante evropiane dhe kosto reale, në Shqipëri paratë e publike rrjedhin në xhepat e pushtetarëve.

Hetuesit e SPAK-ut, që po ndjekin fijet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, kanë përpara një tjetër provë tronditëse: faturën 4.2 milionë euro për kilometër fushë. Kjo nuk është kosto ndërtimi, por kostoja e babëzisë institucionale që po godet në zemër kupolën e infrastrukturës shqiptare.