Situata mbetet problematike edhe në Tërbun Pukë

7 Shtator 2026

Situata mbetet problematike edhe në Pukë, ku zjarri në Malin e Tërbunit vijon të përhapet, i favorizuar nga era e fortë.

Disa vatra zjarri vijojnë aktive në zona të ndryshme të qarkut Shkodër, ndërsa gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, forcat operacionale vijuan ndërhyrjet në terren, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e përhapjes së flakëve.

Në Bardhaj–Myselim, në Shkodër, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave, në gatishmëri për çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave. Ndërkohë, në Bërdicë, ndërhyrja gjatë natës bëri të mundur mbrojtjen e banesave dhe vënien e zjarrit nën kontroll. Një tjetër vatër u evidentua në Shtoj të Ri, ku gjithashtu është ndërhyrë nga strukturat operacionale.

Në Vaun e Dejës, zjarri në Mnelë të Madhe vijon aktiv, ndërsa era po favorizon përhapjen e flakëve. Forcat në terren janë të angazhuara kryesisht për mbrojtjen e zonës së banuar. Një tjetër vatër është raportuar në Naraç.

Situata mbetet problematike edhe në Pukë, ku zjarri në Malin e Tërbunit vijon të përhapet, i favorizuar nga era e fortë. Vija e zjarrit shtrihet në mbi 10 kilometra në kurorën pyjore. Aktualisht, nuk raportohen banesa në rrezik.

Në Fushë-Arrëz, zjarri në Kulumri është shuar plotësisht dhe zona vijon të mbahet nën monitorim. Ndërkohë, në aksin Iballë-Fierzë, një vatër vijon të jetë aktive në terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, duke kufizuar mundësinë e ndërhyrjes nga toka.

Në terren vijojnë operacionet e MZSH-së, Forcave të Armatosura, Shërbimit Pyjor, Emergjencave Civile dhe strukturave vendore të mbrojtjes civile, me qëllim kufizimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

Prefektura e Qarkut Shkodër vijon koordinimin pa ndërprerje me strukturat vendore, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera të mbrojtjes civile.

Prioriteti kryesor mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe banesave, ndërsa situata vijon të jetë dinamike dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.