Në spitalet COVID nuk ka më vende, sistemi futet në kolaps

24 TETOR 2020,

Të dyja spitalet që trajtojnë pacientët me covid raportojnë se nuk kanë më shtretër të lirë.

Me shtimin e numrit të rasteve të reja me koronavirus, kapacitetet e spitalit Infektiv në QSUT dhe spitali nr.2, “Shefqet Ndroqi,” i kanë ezauruar të gjithë kapacitetet për të pranuar të tjerë pacientë që do të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Burime nga të dyja spitalet i konfirmuan gazetës “Shqip” se pothuajse të gjithë shtretërit janë të zënë, çka e vë në kolaps sistemin shëndetësor.

E vetmja mundësi janë hapja e dy spitaleve të reja, të lancuara kohë më parë. Burimet thanë se spitali nr.3 i cili ka përfunduar rikonstruksionin dhe plotësimin e pavioneve me bazën e duhur materiale pritet të hapet sot. Ai ndodhet në autostradë, në ish-godinën e Universitetit “Kristal”.

Sipas grafikut të përcaktuar nga ministria e Shëndetësisë, spitali nr.2, “Shefqet Ndroqi”, deri më 15 nëntor duhet të përballonte vetëm rastet urgjente që mbërrijnë nga zonat e veriut të Shqipërisë, ndërsa spitali infektiv, përveç rasteve të Jugut, duhet të përballonte deri në mesin e muajit nëntor dhe rastet urgjente të Tiranës.

Por mbrëmjen e djeshme, sipas burimeve për “Shqip”, Infektivi është tejmbushur dhe rastet urgjente të Tiranës janë dërguar me urgjencë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ky i fundit raporton për zerim të shtretërve të lirë çka ka detyruar autoritetet shëndetësore të vendosin hapjen e spitalit nr.3.

Ndërkohë që numri ditor i rasteve të reja me koronavirus i kapërcen të 300 rastet, situata paraqitet e rëndë dhe me pacientët që mjekohen në shtëpi nga mjeku i familjes. Shumë prej tyre ndonëse kanë ndjekur kurën mjekësore sipas skemës së përcaktuar nga mjeku, në shumë raste përfundojnë në spital për shkak të problemeve të rënda respiratore.

OBSH paralajmëroi përkeqësim të situatës në muajt në vazhdim ku me ardhjen e dimrit priten dhe qarkullim të viruseve të gripit që bashkë me koronavirusin do e bëjnë edhe më të ekspozuar organizmin ndaj infektimit prej tyre.

Gazeta Shqip