2 Dhjetor 2023

Në Shqipëri ne kemi pasur raporte nga agjenci që flasin për media të financuara nga Rusia.

Analisti Preç Zogaj është shprehur se Rusia historikisht është përpjekur të ndikojë në Shqipëri dhe të dëmtojë vendin tonë.

Komentet Zogaj i bëri në një emision televiziv pas sondazhit të publikuar nga “Barometri” për vendet mike dhe armike të Shqipërisë.

Ai shtoi se tani Rusia kërkon të dëmtojë Kosovën, duke u përpjekur të krijojë një front lufte atje, përmes Serbisë.

“Shqipëria ka qenë në shënjestër të luftës hibride që zhvillon Rusia në të gjithë Ballkanin, për të diskredituar NATO-n. Në Shqipëri ne kemi pasur raporte nga agjenci që flasin për media të financuara nga Rusia.

Përpjekje janë bërë, por nuk ka pasur rezultat. Rusia e ka në shënjestër Shqipërinë. Shumë ngjarje që ndodhin në Shqipëri përkojnë me atë që synon politika ruse, por kjo ka ndryshuar pak pas luftës në Ukrainë. Por tani bën përpjekje në Kosovë, për të hapur një front të dytë lufte atje.

Është komplekse marrëdhënia me Rusinë, rusët si popull sjellin atë natyrën me letërsinë ruse dhe artin rus. Por janë një shtet ekpancionist që Shqipërisë i kanë bër dëme të mëdha dhe do i bënin sërish nëse do u jepej mundësia. Qoftë bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën nuk i kanë zgjedhur popujt aleancat, por politika, për interesa të caktuara”, u shpreh Zogaj.

Gazeta Sot