Në kërkim të arit afrikan

28 Mars 2026
Afrika e Jugut është e njohur për minierat e arit, duke u renditur mes vendeve me rezervat më të mëdha të arit në botë. Rritja e çmimeve dhe kërkesat e investitorëve kanë rikthyer edhe njëherë vëmendjen te ringjallja e aktivitetit të këtij sektori.
Në një moment të rrallë pozitiv për sektorin e arit në Afrikën e Jugut, West Wits Mining ka lançuar minierën e parë të re të arit në vend pas 15 vitesh, duke shfrytëzuar një nga rajonet më të famshme dhe gjeologjikisht më të pasura me ar në tokë.
Projekti Qala Shallows, i vendosur në skajin perëndimor të Johanesburgut, ndodhet brenda pellgut legjendar Witwatersrand, i cili sipas të dhënave zyrtare ka prodhuar 30-40% të gjithë arit të nxjerrë ndonjëherë në botë. Miniera përfaqëson një kthim në zhvillimin e ri nëntokësor në një vend gjithnjë e më të kufizuar nga presionet e kostove, paqëndrueshmëria e energjisë dhe rënia e niveleve të mineraleve.
“Kur filluam ta shqyrtonim këtë projekt, dhe padyshim me rritjen e çmimit të arit, duket se është shumë i zbatueshëm. Kur shqyrtuam të gjitha fazat dhe në fund finalizuam studimin e fizibilitetit, arritëm në përfundimin se kishim një projekt shumë të mirë ekonomik, duke pasur parasysh çmimet e reja të arit. Dhe kjo ishte arsyeja pse filluam të kthenim sytë nga kjo zonë e pashfrytëzuar”, thotë Rudi Deysel, CEO i West Wits Mining.
Rritja e çmimit të arit mbi 5,000 dollarë për ons këtë vit ka përmbysur supozimet rreth ekonomisë minerare të Afrikës së Jugut. West Wits planifikon një prodhim fillestar prej 70,000 ons në vit, duke u rritur përfundimisht drejt 200,000 ons përmes fazave shtesë.
“Jetëgjatësia e këtij projekti është tashmë 17 vjet, që është mjaft e konsiderueshme. Pra, me burimin prej 7.2 milion ons, ne besojmë se mund ta zgjerojmë atë, dhe mendoj se do të ketë edhe më shumë sepse ka shumë më tepër mundësi, besoj në Witwatersrand”, shprehet Rudi Deysel, CEO i West Wits Mining.
Ndërsa bankat qendrore globale vazhdojnë të kenë kërkesa rekord.
“Në katër vitet e fundit kemi pasur blerje masive të arit nga bankat qendrore, veçanërisht bankat qendrore të tregjeve në zhvillim, që tejkalojnë 1,000 ton në vit. Pavarësisht dekadave të rënies së prodhimit, Afrika e Jugut mbetet mbajtësi i tretë më i madh i rezervave të arit në botë dhe vazhdon të prodhojë sasi masive ari”, shprehet Jeffrey Mashiane, ekspert i Minierave dhe Tregjeve.
Kërkesa me pakicë po rritet gjithashtu. Në sallonin e ekspozitës së InvestGold në Johanesburg, CEO Gerrie Erasmus shfaqi një monedhë Kruger Rand prej një ons.
“Me atë që po ndodh në botë, shumë trazira, luftëra, është një strehë e sigurt ku njerëzit i ruajnë paratë e tyre”, thotë Gerrie Erasmus, CEO i InvestGold Johannesburg.
Për kompaninë Qala Shallows, situata e trazirave globale, kërkesa e investitorëve dhe një minierë ikonike mund të jenë kushtet që i nevojiteshin sektorit të arit të Afrikës së Jugut për një rimëkëmbje.
Miniera e arit ka një jetëgjatësi të parashikuar prej 17 vitesh dhe një burim prej 7.2 milion ons, të cilin Deysel beson se mund ta rrisë ndërsa eksplorimi vazhdon në zonat ngjitur të minierave.
Minierat e arit në Afrikën e Jugut, veçanërisht në zonën e Johannesburgut të njohur si “eGoli” (vendi i arit), janë ndër më të thellat dhe më produktivet në botë, por përballen me kriza, dëme mjedisore dhe rreziqe të larta për sigurinë e minatorëve. Sektori përbën një shtyllë historike ekonomike, shpesh me operacione thellësisht nëntokësore.
Megjithëse minierat japin vetëm 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në këtë vend, shërbimet financiare dhe manifaktura zënë pjesën kryesore, ky është sektori që krijon 60 për qind të eksporteve të vendit.
