11 administratorë shpërndanin drogë brenda klubeve tek lokalet e natës në ish-Bllok

28 Mars 2026
E premtja mbrëma pati tjetër adrenalinë në lokalet e natës në zonën e ish bllokut kryeqytet.
Policia e Tiranës prej muajsh kishte vënë nën vëzhgim disa prej këtyre lokaleve nën dyshimin se punonjës ose administratorë të tyre shpërndanin lëndë narkotike.
Si rezultat i ndërhyrjes së beftë në këto lokale, policia vuri në pranga 11 persona ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim.
U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Enis Haxhiaj, Akil Ndreu, Klevis Maqellari, Raul Loka, Endrijus Shaliu, Ergi Hasani, Migert Balla, Arli Gjokmeli dhe Fradjo Keli. Si dhe u arrestua flagrancë shtetasi Orges (Dritan) Jahelezi.
Gjatë periudhës hetimore janë sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë.
Ekstazia përgatitej në Tiranë. Në kuadër të këtij hetimi më herët më 6 shkurt policia kishte vënë në pranga Elvis dhe Bujar Lezo të cilët një banesë në zonën e Ali Demit në tiranë e kishin shndërruar në laborator ku me anë të përzierave kimike prodhonin tableta ekstazi.
