28 Mars 2026

Drejtuesi politik i Partisësë Lirisë në qarkun Berat, Lefter Maliqi, komentoi situatën brenda Partisë Demokratike dhe garën për kreun e ri të partisë, me zgjedhjet që do të mbahen më 23 maj.

I ftuar në “News24 Fundjavë”, Maliqi theksoi se pas vendosjes së kreut të ri, PD duhet të hapet dhe të bëjë ristrukturim, një kërkesë që sipas tij vjen edhe nga baza. Sipas tij, mosrealizimi i këtyre ndryshimeve rrezikon rezultatin në zgjedhjet lokale.

“PD ka kaluar vështirësi shumë të mëdha me grabitjen e vulës, braktisja e Kuvendit, pushtetit lokal, mos marrja pjesë në reformat Territoriale dhe Zgjedhore, që bëri të kalojë disa kohë të vështira, rezultat i parave të pista dhe të krimit, synim ky i Ramës.
PD është në një mision, është në proces reagimi për shkak të mos njohjes së zgjedhjeve dhe problematikave të masakrës elektorale.
PD është në valë protestash për shkak të zgjedhjeve, rastit Balluku apo drejtuesit e bashkive që janë në hetim.
Unë mbetem i linjës së Berishës pavarësisht moshës së tij. Berisha është histori në PD dhe do ta lërë drejtimin e partisë kur ta çojë PD në pushtet pra do të largohet si fitimtar.
Ka të pa kënaqur edhe brenda socialistëve dhe kërkojnë protesta. Jemi në një krizë morale politike dhe të sigurisë në vend.

Më datë 23 Berisha rizgjidhet në drejtimin e PD. Thirrja ime është pas fitores të hapet partia, kryesia, Këshilli Kombëtar, që të ndryshojë fryma. Duhet të shihen për mendimin tim edhe drejtuesit politikë, nuk kam asgjë personale, duhet një riorganizim në bazë në çdo qelizë. Pushteti lokal është ai që sjell pushtetin qendror. Ndryshe rrezikohet edhe rezultati i zgjedhjeve lokale”, tha ai.

Nga: Gazeta Sot