Ndahen çmimet e Panairit të Librit “Tirana 2025”, Artan Fuga autori më i mirë i vitit

15 Nentor 2025
Juria e Panairit të Librit “Tirana 2025” ndau sot çmimet e shumëpritura nga botuesit, shkrimtarët e lexuesit. Juria e këtij panairi përbëhej nga Elsa Skënderi Rakipllari (kryetare), Beti Njuma, Maniela Sota, Teuta Dhima dhe Zija Vukaj.
Çmimi “Autori i librit më të mirë studimor”, iu dha Ali Xhikut, për veprën “Faqeve të historiografisë shqiptare”, botuar nga “Onufri”.
Çmimi u dha për kontributin e vyer për ndriçimin teorik dhe metodologjik të çështjeve kyçe të historisë së letërsisë shqipe, në një vepër ku ndërthuren njohja e thellë e sistemit letrar shqiptar, analiza e teksteve themelore të historisë së letërsisë sonë dhe angazhimi i përkushtuar jetësor në studimet letrare.
I mirënjohuri Artan Fuga u nderua me çmimin “Autori më i mirë i vitit”, për romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës”, botuar nga “Papirus”.
Juria e panairit gjykoi se ky libër është një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku ndërthuren miti i zanafillës, dramat e jetës familjare e urbane dhe zhvillimet teknologjike të bashkëkohësisë.
Përkthyesi më i mirë i vitit u shpall Virgjil Muçi, për përkthimin mjeshtëror të veprës “Xhejmsi” të Percival Everett, fitues i Çmimit “Pulitzer 2025”, botuar nga “Dituria”.
Libri eflekton njohuritë e thella të natyrës së shqipes, por edhe talentin prej shkrimtari të Virgjil Muçit.
Gjuhësimi me zhdërvjelltësi të admirueshme i dy regjistrave të idiomës së romanit, e bën këtë vepër madhore të bashkëkohësisë t’i flasë lexuesit shqiptar, duke ruajtur ngjyresat dhe kompleksitetin e tekstit origjinal.
Çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë” iu dha shkrimtares Valbona Banka për romanin për fëmijë “Aria, në dorën time”, botuar nga “Dita Books”, për rrëfimin e këndshëm dhe me humor, që ndërkall në tekstin letrar edhe shenja identitare të vendit dhe të gjuhës sonë, që nxisin formimin e identitetit kombëtar te lexuesit e vegjël, dhe edukimin emocional përmes letërsisë.
Çmimi për përkthimin më të mirë letrar nga frëngjishtja në shqip iu dha Urim Nergutit për përkthimin e romanit “Hyrija” të Kamel Daoud, fitues i çmimit Goncourt 2024, botuar nga “Buzuku”.
Motivacioni i këtij çmimi ishte: “Përmes nuancimeve të larmishme të fjalës e sintaksës së zhdërvjellët përkthyesi sjell besnikësërisht në shqip një histori drithëruese duke ruajtur stilin e autorit me heshtjet, belbëzimet dhe shumësinë e zërave të këtij romani tronditës”.
