Muzeu “Onufri” dhe ai Etnografik ne Berat, të preferuar për vizitorët e huaj. –

16/11/2019

Muzetë e Beratit gjatë këtij viti kanë qenë vende të preferuara për vizitorët. Qendra Kombëtare e Muzeumeve ka postuar foto të dy muzeve dhe shprehte, se vazhdojnë të jenë destinacione të preferuara për vizitorët. “Muzeu i ikonografisë “Onufri” dhe muzeu Etnografik, edhe pse sezoni turistik ka mbaruar vazhdojnë të jenë destinacione të preferuar për vizitorët e huaj”, pohon QKM. Muzeu kombëtar “Onufri” në Berat është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek.XVI. Muzeu kombëtar “Onufri”, gjendet në qendër të lagjes së banuar në kalanë mesjetare të qytetit të Beratit. Në të janë përfshirë një fond i pasur ikonografik dhe disa objekte të shërbesës. Muzeu është organizuar në mjediset e kishës së katedrales së Shën Mërisë, që është ndërtuar në vitin 1797, mbi themelet e një kishe më të vjetër me të njëjtin emër. Ky muze mban emrin e piktorit më të shquar shqiptarë të shek. të XVI, Onufrit, i cili ka lënë një fond mjaft të pasur në krijimtarinë ikonografike. Kompleksi muzeal përbëhet nga salla qendrore e kishës, mjedisi i altarit, si edhe nga një sërë mjedisesh ndihmëse njëkatëshe, në anën veriore, dhe dykatëshe, në anën perëndimore. Ndërtimi shquhet për ngritje në lartësi, duke përbërë një variant të rëndësishëm të arkitekturës së kultit në kalimin nga shek. i XVIII- në shek. XIX. Muzeu ka tri salla kryesore, në të cilat janë të ekspozuara veprat më të mira të autorëve që përmendëm më lart si edhe të autorëve të tjerë. Veç ikonave të ekspozuara në mjediset e muzeut, një seri të veçantë përfaqësojnë edhe ikonat e vendosura në ikonostasin e praruar të kishës të cilat janë vepra të piktorit Joan Çetri. Në vitrina janë të ekspozuara edhe disa tekstile dhe objekte metalike, të cilat dëshmojnë për një traditë artizanale të një niveli të lartë të Trevës së Beratit. Muzeu Etnografik në Berat u përurua në vitin 1979. Në të përfshihet kultura popullore etnografike e trevës së Beratit, si edhe ajo e Shqipërisë së Jugut. Muzeu është vendosur në një godinë dykatëshe trishekullore, tipike e trevës beratase. Në katin e parë është ngritur një sallë në të cilën është imituar një rrugicë mesjetare me dyqane tradicionale në të dy anët e saj. Në këtë sallë është vendosur edhe pavijoni i lashtësisë. Po kështu, në katin e parë janë vendosur objekte që janë përdorur për përpunimin e ullirit. Në katin e dytë ndodhet çardaku i hapur për pritje miqsh. Në mjediset e jashtme të muzeut janë vendosur shumë objekte origjinale, masive dhe funksionale të kulturës sonë popullore.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/