“Muzeu Lëvizës” angazhon të rinjtë në Pukë për trashëgiminë kulturore

Hani i Perparim Lacit, Puke
9 Janar 2026
Projekti “Muzeu Lëvizës” solli trashëgiminë kulturore më pranë komunitetit të Pukës, duke bashkuar Qendrën Kulturore “Qoshe Kulture” me Muzeun Historik Kombëtar.
Aktiviteti, i hapur për publikun dhe nxënësit e qytetit, kishte për qëllim angazhimin e të rinjve në interpretimin e historisë vendore dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Drejtoresha e MHK, Elenita Roshi tha për ATSH-në se projekti përfshin gjashtë qytete, 3 në Veri të vendit dhe 3 të tjera në Jug.
Aktivitetet janë programuar, në Mirditë, Pukë, Kukës, Lushnjë, Dimal dhe në Bashkinë e Roskovecit, ku do të ketë takime me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, për t’i edukuar e ndërgjegjësuar mbi nevojën e studimit të Muzeologjisë si dhe t’u tregohet roli i objektit muzeor në shpjegimin e historisë e kulturës së një kombi.
“Nxënësit nxiten të mësojnë historinë nëpërmjet objekteve që kanë trashëguar në familjet e tyre dhe se si t’i regjistrojnë këto objekte, duke krijuar pasaportën e objektit muzeor”, u shpreh Elenita Roshi.
Aktualisht aktivitetet janë organizuar në Mirditë, Pukë dhe Bashkinë e Dimalit, ku ka pasur pjesëmarrje të lartë, veçanërisht në Mirditë ku pjesëmarrësit sollën shumë objekte të zbuluara në familjet mirditore.
Drejtoresha e Muzeut Historik Kombëtar, mes qindra të rinjve që takoi në këto aktivitete, veçoi një djalë nga Puka, Bleartin, të cilin e vlerësoi si një fëmijë të talentuar dhe i vetmi që shprehu dëshirën të studiojë Histori.
Elenita Roshi falënderoi nxënësit e shkollave të Rreshenit si dhe nxiti të tjerët të kuptojnë rëndësinë e muzeologjisë në ruajtjen e shpalosjen e vlerave kombëtare.
Në aktivitet u prezantuan dy komponentë kryesorë:
Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, që ofron një udhëtim mes vlerave më të çmuara të historisë sonë;
Miniekspozita “Muzeu Im – Një Dritare drejt së Kaluarës”, ku nxënësit prezantuan objekte nga zona e Pukës të mbledhura nga qytetari Përparim Laçi, duke krijuar ura dialogu mes brezave të komunitetit.
Të rinjtë, mësuesit, prindërit dhe banorët e Pukës patën mundësinë të njihen me trashëgiminë kombëtare dhe lokale përmes këtij formati edukativ.
Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Balkan Museum Network dhe donatorit Headley Trust UK, në kuadër të Headley South East Europe Cultural Heritage Fund.

