Mumja që duket sikur bërtet prej 3 mijë vitesh, ja çfarë kanë arritur të mësojnë shkencëtarët rreth saj…

6 Shtator 2026
Një mumje e lashtë egjiptiane, e cila prej afro 3 mijë vitesh ruan një shprehje të pazakontë në fytyrë, ka rikthyer vëmendjen e studiuesve.
Goja e hapur dhe tiparet e fytyrës krijojnë përshtypjen se gruaja ka mbetur e ngrirë në momentin e një britme.
Mumja e një gruaje të paidentifikuar u zbulua në vitin 1935 në Tebë, në Egjipt.
Për vite me radhë, pamja e saj ngriti pyetje rreth mënyrës së vdekjes dhe mumifikimit.
Fillimisht u mendua se goja e hapur dhe pozicioni i fytyrës mund të ishin pasojë e një mumifikimi jo të mirë. Ekzaminimet e mëvonshme sollën një tjetër tablo.
Gruaja ishte varrosur pranë familjes së Senmutit, arkitektit mbretëror të faraones Hatshepsut. Trupi i saj ishte trajtuar me materiale të kushtueshme, mes tyre rrëshira të importuara, temjan nga vendi i lashtë i Puntit dhe rrëshirë dëllinje.
Edhe mënyra e përgatitjes së saj tregon se gruaja i përkiste një shtrese të pasur të shoqërisë. Ajo kishte një paruke të përpunuar me fibra palme hurme, të trajtuara me këna dhe të dekoruara me minerale.
Në vitin 2024, mumja iu nënshtrua një ekzaminimi të ri nga radiologia e mumjeve Sahar Saleem, nga Universiteti i Kajros, dhe Samia El-Merghani, nga Ministria egjiptiane e Turizmit dhe Antikiteteve.
Studiuesit përdorën rreze X, skanime CT dhe analiza mikroskopike e kimike.
Rezultatet treguan se gruaja ishte rreth 1.52 metra e gjatë dhe kishte vdekur afërsisht në moshën 48-vjeçare. Në trup u gjetën shenja konsumimi në dhëmbë dhe kyçe, ndërsa krahët ishin të vendosur përgjatë trupit.
Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë arritur të përcaktojnë me siguri shkakun e vdekjes. Mes mundësive janë një atak në zemër, goditje në tru, këputje e një aneurizme ose helmim i mundshëm nga një gjarpër.
Edhe pas mijëra vitesh, shprehja e fytyrës mbetet pjesa më e veçantë e kësaj mumjeje, ndërsa ekzaminimet kanë ndihmuar studiuesit të kuptojnë më shumë për jetën dhe statusin e saj në Egjiptin e lashtë.
